Personat me aftësi të kufizuar përballen me vështirësi të shumta për aksesimin e transportit publik, duke nisur nga mosprofesionalizmi i stafeve të urbanëve, deri tek mosrespektimi i rregullores nga ana e qytetarëve për qëndrimin e tyre në hapësirat e krijuara për përdoruesit e karrocës me rrota.

Autori: Dallandyshe Xhaferri

Transporti publik i Tiranës prej vitesh haset me problematika të shumta për mosofrimin e duhur të shërbimit, por këto problematika ndihen më shumë tek personat me nevoja të veçanta, të cilët për shkak të mosfunksionimit të duhur të infrastrukturës e kanë të pamundur të zhvillojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e tyre të përditshëm.

Shumë autobusa, pak cilësi

Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë ku qytetarët kanë si të vetmen mundësi transporti publik brenda qytetit autobusët urbanë, megjithatë shërbimi i tyre është larg standardeve të Bashkimit Evropian, duke mos u dhënë mundësinë për aksesueshmëri të gjithë targetgrupeve të shoqërisë.

Sipas një raporti të Eurostat, në vitin 2024 vendi ynë renditej mes vendeve me numrin më të lartë të autobusëve për frymë në Evropë. Konkretisht numëroheshin në total 8 886 autobusë urbanë, ndërqytetas dhe elektrikë, por vetëm 432 prej tyre ishin mjete të reja. Thënë ndryshe vetëm 4.9% e flotës.

Gjithashtu, po sipas të njëjtit raport, dy vite më parë vetëm 29% e të pyeturve në Tiranë ishin të kënaqur me shërbimin e transportit publik, megjithatë edhe tani sipas dokumenteve zyrtare shërbimi i transportit publik shoqërohet me problematika të shumta.

(Pa)aksesueshmëria e transportit publik në Tiranë

Mosaksesueshmëria e transportit publik në Tiranë mbetet një nga barrierat kryesore për zhvillimin e aktiviteteve të përditshmërisë së personave me nevoja të veçanta, sipas Raportittë Monitorimit të Zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025.

Në raport theksohet se pavarësisht përafrimit të kuadrit ligjor shqiptar për transportin rrugor me atë evropian, zbatimi praktik i tij mbetet i kufizuar.

“Angazhimi institucional për përmirësimin e transportit publik ka qenë i ulët dhe nuk ka të dhëna të mjaftueshme mbi pajisjen reale të mjeteve me elemente aksesueshmërie. Ndërsa, nëse në terminalet e reja janë bërë hapa pozitivë në lidhje me aksesin, terminalet ekzistuese vazhdojnë të kenë mungesa të konsiderueshme”, – thuhet në raport, ku listohen si disa nga problematikat kryesore mungesën e trajnimit të stafit, çfarë çon në mosofrimin e shërbimit për personat me aftësi të kufizuar.

“Trajnimi i stafit dhe ofrimi i asistencës janë realizuar pjesërisht dhe udhëzuesit informues për përdoruesit nuk janë publikuar ende. Për rrjedhojë, aksesueshmëria në transport vazhdon të mbetet një pengesë e madhe strukturore për integrimin e personave me aftësi të kufizuara”, – theksohet në raport, ndërkohë që këto problematika janë të mbartura prej vitesh.

Problematike shfaqej situata e transportit publik edhe 10 vite më parë, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) i rekomandonte Bashkisë Tiranë ndryshime të menjëhershme.

“Bashkia e Tiranës nuk garanton në nivel të kënaqshëm një shërbim të pranueshëm të transportit publik qytetas. Kuadri rregullator shfaq mangësi. Mungojnë akte të cilat duhet të ishin pjesë e kuadrit rregullativ për të siguruar një shërbim cilësor të transportit urban qytetës”, – thuhej në raportin e auditit të vitit 2016 nga KLSH-ja, ndërkohë që vitin e kaluar, 2025, sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, janë marrë nga ky institucion 64 vendime mbi ankesat ku pretendohej diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar.

Problematikat e hasura gjatë shqyrtimit të çështjeve, krahas mosaksesueshmërisë së transportit publik, lidheshin edhe me mungesën e aksesueshmërisë në godina, institucione ku ofrohej një shërbim, mungesën e përfitimit të pagesës së invaliditetit etj.

Ndërkohë, që nga janari i këtij viti, 2026, deri në realizimin e këtij shkrimi pranë Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi janë regjistruar gjithsej 8 ankesa me shkak aftësinë e kufizuar.

“Nga këto 1 ankesë nga OJF dhe 7 ankesa nga individë. Asnjëra prej tyre nuk ngre pretendime diskriminimi në lidhje me transportin publik”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të KMD-së.

Sfidat e përditshme për personat me aftësi të kufizuar

Kristiana Lee, është një e re nga Tirana e cila prej moshës 6-vjeçare u diagnostikua me leucemi akute, trajtimi i së cilës i solli pasoja në mosfunksionimin e aftësisë së gjymtyrëve të poshtme për të ecur.

Gjatë intervistës së saj për Slow Media Albania ajo tregon se transporti publik urban në Tiranë ka qenë një nga pengesat më të mëdha me të cilat është hasur për të zhvilluar aktivitetet e saj të përditshme në mënyrë totalisht të pavarur.

“Vështirësitë fillojnë që në stacionet e autobusëve. Shumë prej tyre nuk janë të aksesueshme apo të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, duke e bërë të vështirë pritjen dhe hipjen në autobus”, – thotë ajo, teksa shton se në disa raste autobusët nuk kanë rampat e aksesit, ose vetë faturinot e autobusëve nuk pranojnë ose nuk janë të informuar se si duhet t’i përdorin rampat për t’i vendosur në dispozicion të qytetarëve.

“Më ka ndodhur një rast kur kam qenë shtatzënë 6 muajshe dhe më duhej të përdorja transportin publik. I kërkova disa herë faturinos të hapte rampën pasi kisha frikë të hipja në urban në mënyrë tjetër. Dhe aty ka qenë hera e parë që ai e kuptoi çfarë është rampa, dhe që autobusi kishte një të tillë. Nuk e kishin përdorur kurrë”, – rrëfen ajo duke shtuar se problematike është dhe zënia e hapësirës së urbanit për personat me karroca nga përdorues të tjerë të transportit publik.

Sipas saj, shërbimi i transportit publik ka nevojë të menjëhershme për edukimin dhe trajnimin e drejtuesve të mjeteve dhe të faturinove për nevojat e personave me aftësi të kufizuar.

“Kjo përfshin mënyrën e ndalimit të autobusit në stacion, përdorimin korrekt të rampave të aksesit dhe respektimin e hapësirave të dedikuara për përdoruesit e karrigeve me rrota”, – shpjegon ajo duke shtuar se po aq i rëndësishëm është dhe përmirësimi i infrastrukturës së stacioneve dhe monitorimi i zbatimit të standardeve të aksesueshmërisë.

“Aksesueshmëria nuk duhet të shihet si një lehtësi shtesë, por si një e drejtë themelore që u mundëson personave me aftësi të kufizuara të lëvizin, të punojnë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në shoqëri”, – thotë Lee, ndërkohë që Përfaqësuesi i Unionit të Transportit Urban, Dashnor Mema, thotë gjatë intervistës së tij se aksesueshmëria e rampave në urbanë është detyrim ligjor që duhet respektuar, edhe nga linjat e urbanëve që aktualisht nuk i disponojnë.

Realizimi i këtij shkrimi u mbështet nga Fondacioni “Së Bashku”

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit mediatik për të fuqizuar qytetarët 

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së
ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i
dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit
mediatik për të fuqizuar qytetarët

Kontakt: 068 8008587
Adresa: Rruga “Foto Xhavella” Tirane Albania
Email: info@slowmediaalbania.org

© 2026 Slow Media Albania Designed by Abc Solutions.
Exit mobile version