Parimet e Slow Media Albania

Slow Media Albania (SMA) është krijuar si një organizatë pionere, e angazhuar për të sjellë një lloj të ri të gazetarisë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo praktikë do t’i japë përparësi raportimit të thelluar, etik dhe edukimit mediatik. SMA do të operojë në mënyrë të pavarur nga interesat ose presionet politike dhe të biznesit, duke mbështetur transparencën, pavarësinë editoriale dhe raportimin me qendër tek lexuesi. Fokusi ynë qëndron në çështjet kritike me interes publik, duke përfshirë korrupsionin, dezinformimin dhe mbrojtjen e integritetit gazetaresk. Ne besojmë se SMA mund të kontribuojë për një shoqëri më të informuar, më të angazhuar dhe demokratike.

Vlerat dhe Parimet Themelore

SMA do të udhëhiqet nga:

Pavarësia Editoriale: SMA do të ruajë pavarësi të plotë nga ndikimet politike, ekonomike dhe interesa të tjera të jashtme që mund të rrezikojnë integritetin gazetaresk. Vendimet editoriale do të bazohen vetëm mbi etikën gazetareske, faktet dhe interesin publik.

Raportimi Etik: Ne do t’u përmbahemi standardeve më të larta të gazetarisë etike, duke përfshirë saktësinë dhe paanshmërinë. Ne do të shmangim sensacionalizmin, stereotipet dhe çdo raportim që mund të nxisë urrejtje ose dhunë.

Raportimi i Thelluar: Ne do t’i japim përparësi investigimit dhe analizës mbi mbulimin sipërfaqësor të historive që do të publikojmë, duke ofruar kështu kontekst, sfond dhe perspektiva të shumta. Ne do të synojmë dhe punojmë për cilësinë mbi sasinë, duke u fokusuar te historitë më pak të raportuara.

Promovimi i Edukimit Mediatik: Ne do të promovojmë në mënyrë aktive edukimin mediatik, duke nxitur qytetarët të filtrojnë në mënyrë kritike informacionin, të identifikojnë dezinformatat dhe të kuptojnë rolin e gazetarisë në një shoqëri demokratike.

Llogaridhënia: SMA do të jetë përgjegjëse ndaj lexuesve të saj, financuesve dhe publikut. Ne do të krijojmë mekanizma të qartë për adresimin e ankesave, korrigjimin e gabimeve dhe sigurimin e burimeve të përgjegjshme.

Politika specifike

Këto parime përkthehen në politika specifike, të cilat do të zbatohen në çdo hap të punës së SMA.

Politika Etike: SMA nuk do të pranojë udhëtime falas, pagesa, honorare ose trajtime preferenciale nga asnjë burim qeveritar, organizata të financuara nga qeveria, grupe politike ose organizata që mund të rrezikojnë pavarësinë e saj.
Paanshmëria:

SMA nuk do të publikojë asnjë histori që nuk përmban fakte.
Individëve ose organizatave të përmendura në histori do t’u jepet mundësia të flasin mbi pretendimet e bëra rreth tyre.
E gjithë përmbajtja do të kontrollohet rigorozisht para publikimit.
SMA do të krijojë një sistem për verifikimin e informacionit, duke përfshirë referencën e burimeve dhe konsultimin me ekspertët.
Ne do t’u përmbahemi praktikat më të mira në gazetarinë e të dhënave, duke siguruar saktësinë dhe integritetin e të gjitha të dhënave të përdorura në raportimin tonë.

Politika e Korrigjimeve:

SMA do të korrigjojë menjëherë të gjitha gabimet e fakteve në përmbajtjen e saj.
Korrigjimet do të bëhen në mënyrë të qartë dhe transparente, duke shpjeguar se çfarë ishte e pasaktë dhe si është korrigjuar.
Gabimet e rëndësishme ose shkeljet etike do të adresohen me një shënim të redaktorit.

Politika Editorale e Pavarësisë:

Vendimet editoriale të SMA do të merren pa ndikime të jashtme.
Organizata do të vendosë një ndarje të qartë ndërmjet funksioneve editoriale dhe atyre drejtuese.
Ekipi redaktues do të ketë fjalën e fundit për të gjitha vendimet mbi përmbajtjen.
Financuesit nuk do të kenë asnjë kontroll mbi përmbajtjen editoriale.
Politika e Mbrojtjes së Gazetarëve:

SMA do të advokojë për mbrojtjen ligjore dhe fizike të gazetarëve në Shqipëri. Ne do të monitorojmë dhe raportojmë për kërcënimet, sulmet dhe ngacmimet ndaj gazetarëve.
SMA do të ofrojë mbështetje për gazetarët e saj që përballen me kërcënime ose sulme.
SMA do të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare dhe grupet e avokimit për të promovuar lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve.

Partneritetet

SMA do të bashkëpunojë me organizata të tjera mediatike, grupe të shoqërisë civile, institucione akademike dhe partnerë ndërkombëtarë për të zgjeruar ndikimin e saj dhe për të promovuar misionin e saj.

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit mediatik për të fuqizuar qytetarët 

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së
ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i
dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit
mediatik për të fuqizuar qytetarët

Kontakt: 068 8008587
Adresa: Rruga “Foto Xhavella” Tirane Albania
Email: info@slowmediaalbania.org

© 2025 Slow Media Albania Designed by Abc Solutions.
Exit mobile version