Ka disa postime që i lexon dhe vazhdon ditën normalisht. Ka të tjera që të ndalin për pak sekonda. Dhe ka disa që të godasin në heshtje. Kështu më ndodhi kur sapo pashë postimin e Dallandyshe Xhaferrit ose “Dalla” për këdo që e njeh nga afër.

Një foto, disa fjali të thjeshta dhe një lajm: ajo tashmë është zhvendosur në Milano.

Kur pashë postimin mendova se sa e çuditshme është ndonjëherë jeta. Disa emra duket sikur mbajnë brenda fatin e tyre. Dallëndyshet njihen për shtegtimet. Ikin kur stinët ndryshojnë. Por gjithmonë jetojmë me idenë se do të kthehen.

Jo gjithmonë ndodh kështu.

Disa dallëndyshe ikin dhe nuk kthehen më. Dallo njoftoi se tashmë jeton në Milano. Një postim i thjeshtë. Pa dramë, pa ankesa, pa deklarata të mëdha. Vetëm disa fjali për një kapitull të ri në jetën e saj.

Përgjigjja e saj kur e kam pyetur më mbeti gjatë në mendje.

“Të ta them troç-troç: nuk ndihem sikur i përkas Shqipërisë. Dhe kjo bindje m’u rrit edhe më shumë si ndjenjë përgjegjësie për të ikur kur mora vesh shtatzëninë, por akoma më shumë kur mora vesh që bebi është gocë. Nuk dua ta rris gocën në shoqërinë tonë. Por po iki edhe për arsye profesionale, për të bërë doktoraturën këtej. Në fakt, prej kohësh e kisha planifikuar të largohesha nga Shqipëria për doktoraturën, por shtatzënia ma përshpejtoi vendimin.”

E lexova disa herë atë mesazh jo sepse nuk e kuptoja, por sepse më dhembi.

E lexova disa herë. Në fillim ndjeva gëzim sepse e njoh Dallandyshen. E njoh për përkushtimin, për netët e gjata të punës, për historitë që ka ndjekur, për mundin që shpesh nuk shihet. E di që e meriton çdo mundësi që i vjen.

Por pas gëzimit erdhi një ndjenjë tjetër, një boshllëk, sepse nuk po largohejt thjesht Dallandyshja. Po largohet një tjetër e re shqiptare, një tjetër gazetare një tjetër profesioniste. Një tjetër njeri që kishte zgjedhur të ndërtonte diçka këtu dhe që në një moment kishte kuptuar se ndoshta ëndrrat e saj kishin më shumë hapësirë diku tjetër.

Këto ditë, ndërsa në rrugët e Shqipërisë dëgjohen thirrje kundër korrupsionit, padrejtësisë dhe keqqeverisjes, një nga sloganet që përsëritet më shpesh është ai për largimin e të rinjve.

Dhe ndoshta sepse shifrat i kemi dëgjuar aq shumë, kemi filluar të mos i ndjejmë më.

44 mijë shqiptarë që largohen në vit. Qindra mijëra të rinj që kanë ikur në dekadën e fundit. Fshatra që boshatisen, qytete që plaken, Klasa shkollash me gjithnjë e më pak nxënës.

Por statistikat nuk të dhembin aq sa të dhemb një emër. nuk të dhembin aq sa një shoqe që të njofton se po ndërton jetën e saj në një vend tjetër.

Sepse emigrimi nuk është numër, është fytyrë.

Është histori, është tavolina që nuk do të ndahet më, është kolegia që nuk do ta takosh më në përditshmëri. Është mesazhi që kalon nga “shihemi nesër” në “shihemi kur të vij në Shqipëri”.

Dhe papritur kupton se ajo që po humbet vendi nuk matet me raporte, nuk matet me përqindje. Matet me njerëzit që largohen, me energjinë që marrin me vete me ëndrrat që nuk ndërtohen më këtu.

Më pëlqen të besoj se një ditë shumë prej tyre do të kthehen. Se Shqipëria do të bëhet vendi ku talenti nuk largohet për të mbijetuar, por zgjedh të qëndrojë për të jetuar.

Por sa herë shoh një tjetër postim largimi, kjo shpresë bëhet pak më e vështirë.Sepse disa dallëndyshe shtegtojnë për një stinë. Ndërsa disa të tjera, kur nisen, nuk gjejnë më arsye për t’u kthyer.

Dhe tragjedia më e madhe nuk është se po ikin. Tragjedia është se po mësohemi me ikjen e tyre.

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit mediatik për të fuqizuar qytetarët 

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së
ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i
dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit
mediatik për të fuqizuar qytetarët

Kontakt: 068 8008587
Adresa: Rruga “Foto Xhavella” Tirane Albania
Email: info@slowmediaalbania.org

© 2026 Slow Media Albania Designed by Abc Solutions.
Exit mobile version