Në një vend ku premtimet politike për furnizim me ujë të pijshëm 24 orë kanë qenë një konstante elektorale për më shumë se dy dekada, realiteti tregon një situate ndryshe dhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Pavarësisht investimeve të deklaruara dhe strategjive ambicioze të hartuara nga qeveria shqiptare, sektori i ujësjellës-kanalizimeve vijon të përballet me sfida serioze që, jo vetëm cenojnë cilësinë e jetës, por edhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e popullsisë.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) evidentoi se një pjesë e konsiderueshme e fondeve publike, të destinuara për përmirësimin e infrastrukturës së ujit, janë shpenzuar për mbulimin e pagave të punonjësve dhe detyrimeve tatimore të ujësjellësave, në vend që të investoheshin në përmirësimin e rrjeteve të shpërndarjes dhe cilësisë së shërbimit.

Pasojat nuk kanë vonuar të ndihen në shëndetin publik. Në Dibër në tetor 2024, mbi 200 qytetarë, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, u shtruan në spital me simptoma helmimi si diarre e rëndë, të vjella dhe temperaturë të lartë. Analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) zbuluan prani të lartë të baktereve Escherichia coli dhe koliformeve fekale në rrjetin e furnizimit me ujë, një tregues i qartë i ndotjes fekale.

Krujë, në të njëjtin vit, qytetarët përjetuan një episod të ngjashëm helmimi. Banorët raportuan ngjyrë të verdhë dhe erë të rëndë të ujit që rridhte nga rubinetat e tyre. Mjekët e spitalit rajonal të Krujës, patën një fluks të jashtëzakonshëm pacientësh me sëmundje të traktit gastrointestinal që ndërlidheshin drejtpërdrejt me konsumin e ujit të kontaminuar.

Probleme serioze u raportuan edhe në Laç dhe Bulqizë, ku dhjetëra qytetarë u paraqitën në spital me simptoma të helmimit, për të cilat analizat laboratorike konfirmuan ndotje të ujit me ngarkesë të lartë bakteriale. Në rastin e Bulqizës, ISHP raportoi se më shumë se 35% e mostrave të ujit të analizuara rezultuan të papërshtatshme për konsum njerëzor.

Ekspertët shëndetësorë kanë dhënë alarmin prej kohësh. Dr. Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog, në një intervistë për Euronews Albania, ka deklaruar se “konsumi i ujit të ndotur rrit ndjeshëm incidencën e sëmundjeve infektive, si gastroenteriti, hepatiti A dhe dizenteria, sidomos tek fëmijët nën pesë vjeç dhe të moshuarit.” Ai theksoi se mungesa e furnizimit të vazhdueshëm me ujë shton edhe rrezikun e ndotjes sekondare në depozitat private.

Në nivel ndërkombëtar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit rreth 485 mijë vdekje globale ndodhin si pasojë e sëmundjeve të lidhura me ujin e ndotur. Shqipëria, sipas një raporti të UNICEF Albania, renditet ende si një nga vendet me “akses të pjesshëm” në furnizim me ujë të sigurt për popullatën.

Problematika nuk mbyllet vetëm me cilësinë e ujit. Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2024 thekson se investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve shpesh nuk shoqërohen me ngritjen e kapaciteteve të duhura për monitorim dhe mirëmbajtje, duke bërë që projektet të degradojnë pak vite pas përfundimit.

Një faktor tjetër kritik që theksojnë ekspertët është mungesa e presionit të duhur në rrjet, që favorizon hyrjen e ndotjeve nga jashtë përmes çarjeve në tubacione. Sipas një raporti të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Ujësjellës-Kanalizimeve (SHUKALB), humbjet në rrjetin e ujësjellësve në Shqipëri arrijnë në mbi 60%, një përqindje alarmante që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ujit të konsumuar.

Nga ana tjetër, mungesa e edukimit publik mbi mirëmbajtjen e depozitave private dhe mënyrën e sigurt të konsumimit të ujit amplifikon më tej rrezikun. Një studim i ISHP i vitit 2023 vuri në dukje se në zonat rurale, mbi 45% e familjeve konsumojnë ujë nga burime të pasigurta si puset private, shpesh të pambrojtura nga ndotjet bakteriale ose kimike.

Në një deklaratë publike Dr. Erion Dasho, ka thënë për Top Channel se “rreziku i konsumimit të ujit të ndotur është një emergjencë kombëtare e heshtur,” duke bërë thirrje për rritje të fondeve për monitorimin laboratorik dhe përmirësim të infrastrukturës së shpërndarjes.

Në këtë kuadër, ndërsa Shqipëria përpiqet të afrohet me standardet europiane dhe aspiron integrimin në Bashkimin Europian, sektori i ujësjellës-kanalizimeve mbetet një problematikë serioze, ku korrupsioni, mungesa e transparencës dhe abuzimet me fondet publike ndërthuren drejtpërdrejt me rrezikimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Për të garantuar të drejtën bazë për ujë të pastër, nuk mjaftojnë më strategjitë në letër dhe deklaratat politike, por kërkohet një ndërhyrje e thellë strukturore, përgjegjshmëri reale institucionale dhe një kulturë e re e transparencës dhe integritetit në menaxhimin e resurseve ujore.

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit mediatik për të fuqizuar qytetarët 

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së
ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i
dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit
mediatik për të fuqizuar qytetarët

Kontakt: 068 8008587
Adresa: Rruga “Foto Xhavella” Tirane Albania
Email: info@slowmediaalbania.org

© 2025 Slow Media Albania Designed by Abc Solutions.
Exit mobile version