Nëse Shqipëria do të kishte një monedhë zyrtare për premtimet e pambajtura, në njërën anë do të kishte simbolin e një çezme të thatë dhe në tjetrën një premtim për “ujë 24 orë”. Prej më shumë se dy dekadash, politika shqiptare ka ndërtuar një retorikë të tërë mbi premtimin “ujë i pijshëm 24 orë në çdo familje”.
Por sa është përmbushur ky premtim në realitet? Një analizë e thelluar mbi të dhënat zyrtare, raporteve të auditimit, strategjitë kombëtare dhe përgjigjet institucionale ofron një tablo komplekse, ku në fund rezultati është i njëjtë por kostot të ndryshme; në rubinetat e qytetarëve, në xhepat e tyre dhe shëndet.
Foto nr.1: Premtimet për furnizimin me ujë 24 orë në rend kronologjik nga të dy qeveritë e fundit
Ish-kryeministri Sali Berisha në mandatin e tij 2009-2013 premtoi se “brenda katër viteve çdo familje shqiptare, në fshat dhe qytet, do të kishte ujë 24 orë”. Në planin fillestar, ishte parashikuar që deri në vitin 2010 të përfundonin të gjitha projektet e nisura në zonat turistike dhe deri në fund të vitit 2011 të mbylleshin të gjitha projektet për trajtimin e ujërave të ndotura. Megjithatë, realiteti i pasqyrimit të punëve në terren rezultoi ndryshe nga optimizmi i shprehur nga qeveria.
Kalimi i stafetës së turpit
I njëjti premtim u ripërsërit edhe nga pasardhësi i tij, Kryeministri aktual Edi Rama, i cili që nga viti 2013 deri më sot ka ndërtuar disa narrativa për “ujin 24 orë”. Në fushatën e vitit 2013, Rama kritikoi ashpër Berishën, duke u shprehur se, pas 20 vitesh premtime, qytetarët ende nuk kishin ujë të pijshëm — një fakt që ai e konsideroi si një turp kombëtar dhe si dështim për të garantuar një të drejtë themelore.
“Unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm e dini pse nuk kam folur? Sepse më vjen turp. Më vjen turp me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë do ju japim ujë 24 orë.”- u shpreh Rama në atë kohë.
Ky diskurs i fortë moral, që shënjestronte politikën e vjetër si të paaftë dhe të korruptuar, i dha Ramës një kapital të madh politik, të cilin ai e përdori për të ndërtuar premtimin e vet: ujë të pijshëm për të gjithë, 24 orë.
Gjatë fushatës së vitit 2017, Rama konkretizoi planin e tij duke vendosur objektiva të matshëm: shtrirjen e furnizimit në 75% të territorit kombëtar dhe zgjerimin e rrjeteve të kanalizimeve në 48%. Për më tepër, ai premtoi reformimin e sektorit përmes krijimit të Këshillit Kombëtar të Ujit dhe një lufte sistematike kundër lidhjeve të paligjshme.
Në vitin 2021, ndërsa kërkonte një mandat të tretë, ai kritikoi rëndë sistemin ekzistues të furnizimit me ujë, duke theksuar se ishin hartuar 23 strategji kombëtare dhe 78 dokumente të tjera strategjike pa sjellë ndryshime të dukshme në terren.
Në vitin 2025, Rama ndryshoi retorikën, duke iu përgjigjur kritikave në rrjetet sociale. Ai theksoi se ndërsa në vitin 2013 vetëm katër zona kishin furnizim 24 orë, sot ky numër kishte arritur në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale, megjithëse vetë pranoi se mbeteshin ende shumë sfida përpara.
Çfarë thonë institucionet:
Slow Media Albania dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës si dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për të mësuar mbi situatën e furnizimit me ujë në të gjithë vendin nga të cilat morëm përgjigje vetëm nga kjo e fundit.
Sipas ERRU, deri në vitin 2025, furnizimi mesatar i ujit në Shqipëri është 17.3 orë në ditë, gjë e cila rezulton shumë larg objektivit të shpallur nga të dyja qeveritë.
Foto nr.2: Grafiku me të dhënat për furnizimin me ujë në rang vendi nga viti 2008-2024 (të dhënat e siguruara nga ERRU)
Le ta vendosim në perspektivë këtë rritje:
Nëse çdo orë furnizimi me ujë përkthehet në një gotë uji (250 ml), atëherë në vitin 2008 një qytetar merrte mesatarisht rreth 2.6 litra ujë në ditë, ndërsa në 2024 merr rreth 4.5 litra. Kjo rritje prej 1.9 litrash në 16 vite është afërsisht sa një shishe uji në ditë… mjaftueshëm për të larë një kokërr mollë.
Çmime që rriten dhe shërbimi që mungon
Më poshtë, do të shohim se si tarifat janë rritur për të “garantuar qëndrueshmëri financiare” ndërsa qytetarët në vitin 2025 ende nuk furnizohen 24 orë në ditë me ujë. Nëse në vitin 2008 një familje paguante 20 deri në 40 lekë për metër kub ujë, në vitin 2024 kjo tarifë ka arritur në disa bashki deri në 72 lekë, rritje që nuk pasohet nga ndonjë revolucion në cilësi apo shërbim.
Në vitin 2008, çmimi i ujit për familjarët në Tiranë ishte 65 lekë për metër kub, ndërsa në Korçë dhe Pogradec, çmimet ishin përkatësisht 72 dhe 62 lekë për metër kub . Megjithatë, koha e furnizimit me ujë ndryshonte ndjeshëm: Tirana ofronte vetëm 10.10 orë ujë në ditë, ndërsa Korça dhe Pogradeci ofronin përkatësisht 23.5 dhe 21 orë .
Në vitin 2016, Ujësjellësi i Tiranës raportoi një fitim prej 675 milionë lekësh (rreth 5 milionë euro), me një rritje prej 8% krahasuar me vitin 2015 . Megjithatë, një akt-ekspertim për periudhën 2015-2017 zbuloi se tre tregues të cilësisë së ujit në Tiranë ishin tej normave të përcaktuara nga VKM nr. 379/2016 .
Në vitin 2020, tarifat për familjarët në Lezhë u rritën nga 18 në 19 lekë për metër kub, ndërsa për bizneset dhe institucionet publike, tarifat u rritën përkatësisht në 29 dhe 25 lekë . Ndërkohë, në Kurbin, Rubik dhe Rrëshen, tarifat për familjarët ishin 15 lekë për metër kub, ndërsa për bizneset dhe institucionet, 25 lekë .
Sipas ERRU, tarifat janë rishikuar në mënyrë të vazhdueshme për të reflektuar rritjen e kostove operative si pagat, energjia elektrike dhe trajtimi i ujërave të ndotura. Por, çuditërisht, vetë këto tarifa shpesh nuk përputhen me cilësinë ose me sasitë reale të ujit të ofruar. Madje, dokumenti zyrtar i ERRU-së i vitit 2025 pranon qartë se rritja e tarifave është bërë për të mbuluar kostot e rritura, jo për të garantuar 24/7 furnizim.
Foto n.3: Pjesë nga dokumenti i dërguar nga ERRU për Slow Media Albania
Në vitin 2025, vetëm një pjesë e vogël e zonave bregdetare dhe disa bashki si Korça, Librazhdi apo Pogradeci raportojnë furnizim me ujë 24 orë në ditë. Ndërkohë, qytetet më të mëdha si Tirana, Durrësi apo Vlora ndodhen ende në shifra të tilla si 17, 13 dhe 13 orë/ditë përkatësisht.
Pavarësisht situatës nga 1 janari 2025, Enti Rregullator i Ujit miratoi rritjen e çmimit të ujit për 12 bashki në vend, pas kërkesës së dy shoqërive që administrojnë këto njësi administrative . Rritja e çmimit është bërë kryesisht për kategorinë e familjarëve, ndërsa për bizneset dhe institucionet publike nuk janë bërë rishikime, me përjashtim të disa rasteve.
Ndërkohë që strategjitë e hartuar numërohen me dhjetëra dhe tarifat vazhdojnë të rriten, furnizimi me ujë 24 orë mungon dhe nëse ekziston një vijë e kuqe që përshkon këtë histori, është mungesa e llogaridhënies.