Përmbledhje

Integrimi i shpejtë i inteligjencës artificiale (IA) në administratën publike sjell si mundësi edhe sfida për qeverisjen, sidomos në vendet në tranzicion. Ky punim analizon përdorimin e hershëm të sistemeve me IA dhe zgjerimin e infrastrukturës së mbikëqyrjes në Shqipëri, duke u bazuar në analizën e politikave, ekspertëve të fushës dhe përgjigjet e institucioneve ndaj kërkesave për informacion nga vetë institucionet. Fokusi është te ndikimi që këto zhvillime kanë në transparencë, llogaridhënie dhe përputhshmëri me standardet e Bashkimit Evropian (BE).

Gjetjet tregojnë se sistemet e IA-së po përdoren gjithnjë e më shumë si ndihmë për vendimmarrjen brenda strukturave ekzistuese të qeverisjes dixhitale, ndërsa infrastruktura e mbikëqyrjes po zgjerohet ndjeshëm. Megjithatë, këto procese po zhvillohen pa rregulla të plota, pa mbikëqyrje të pavarur dhe pa informacion të mjaftueshëm publik.

Punimi argumenton se zhvillimi i teknologjisë në Shqipëri po ecën më shpejt se krijimi i mekanizmave mbrojtës, duke sjellë rreziqe për privatësinë, llogaridhënien e institucioneve dhe përputhshmërinë me BE-në. Në fund, ai jep rekomandime konkrete për të forcuar rregullimin dhe për të siguruar përputhjen me standardet evropiane, përfshirë Aktin e IA-së dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.

1. Hyrje

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në sektorin publik, duke ndryshuar mënyrën se si administrata funksionon dhe si merren vendimet. Në të gjithë Evropën, qeveritë po përdorin sisteme të IA-së për të rritur efikasitetin, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe për të ulur nivelin e korrupsionit (Komisioni Evropian, 2020). Megjithatë, përdorimi i këtyre teknologjive sjell edhe shqetësime për transparencën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e të drejtave themelore (OECD, 2021).

Këto sfida janë edhe më të dukshme në vende që janë në proces zhvillimi ose integrimi në Bashkimin Evropian, ku institucionet dhe rregullat nuk janë ende plotësisht të konsoliduara. Shqipëria është një ndër rastet pasi prej disa kohësh ka integruar qeverisjen dixhitale ndërkohë që njëkohësisht përpiqet të përafrohet me standardet e BE-së.

Ky punim analizon zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke u fokusuar te përdorimi i inteligjencës artificiale në administratën publike dhe zgjerimi i sistemeve të mbikëqyrjes. Ai bazohet në analizën e politikave dhe të dhënat e siguruara nga institucionet dhe dokumente publike, për të kuptuar më mirë ndikimin në qeverisje dhe për të identifikuar boshllëqet në rregullim.

2. Liratura dhe konteksti i politikave

Integrimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në sektorin publik është trajtuar gjerësisht si në studime akademike, ashtu edhe në dokumente politikash. Sistemet algoritmike mund të ndihmojnë institucionet të punojnë më shpejt dhe të jenë më efikase por në të njëjtën kohë mund të ulin transparencën dhe të bëjnë më të vështirë të kuptohet kush mban përgjegjësi për vendimet (Veale & Brass, 2019). Ideja e “qeverisjes algoritmike” lidhet pikërisht me rolin gjithnjë në rritje të teknologjisë në mënyrën se si merren vendimet publike (Danaher et al., 2017).

Në nivel politikash, Bashkimi Evropian ka ndërtuar një qasje e cila bazohet në nivelin e riskut. Kjo do të thotë se sa më i rrezikshëm të jetë një sistem IA, aq më të forta janë dhe duhet të jenë rregullat për përdorimin e tij. Akti i BE-së për IA-në kërkon që sistemet me risk të lartë të jenë transparente, të kontrollohen nga njerëz dhe të kenë përgjegjësi të qarta (Bashkimi Evropian, 2024). Po ashtu, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave vendos rregulla për mënyrën si përdoren të dhënat personale dhe kufizon vendimet që merren vetëm nga makinat pa ndërhyrje njerëzore (Bashkimi Evropian, 2016).

Në Ballkanin Perëndimor, përdorimi në rritje i teknologjive të mbikëqyrjes ka ngritur shqetësime, sidomos për shkak të mungesës së rregullave të qarta dhe kontrollit të mjaftueshëm institucional. Kjo  gjë sjell  rrezik për përdorim të këtyre teknologjive (Fondacioni SHARE, 2022).

3. Metodologjia

Ky studim bazohet në një qasje cilësore duke kombinuar:

  1. Analizën politike dhe ligjore
  2. Shqyrtimin e kornizave rregullatore të Bashkimit Evropian
  3. Literaturën ekzistuese mbi inteligjencën artificiale
  4. Të dhënat e mbledhura nga përgjigjet e institucioneve ndaj kërkesave për informacion dhe nga komunikimet zyrtare (2025–2026).

Ky punim analizon se si sistemet e inteligjencës artificiale dhe infrastruktura e mbikëqyrjes projektohen, zbatohen dhe menaxhohen në praktikë.

4. Sistemet e IA-së dhe infrastruktura e kontrollit

Informacionet e marra përmes kërkesave për informacion nga Zyra e Kryeministrit tregojnë se sistemi i inteligjencës artificiale “Diella” funksionon si një grup shërbimesh dixhitale të ndërlidhura (mikroshërbime), të integruara në platformat ekzistuese shtetërore dhe në infrastrukturën kombëtare të qeverisjes elektronike. Sipas këtyre informacioneve sistemi është projektuar për të mbështetur mbledhjen, përpunimin dhe prezantimin e të dhënave në bazat institucionale, duke vepruar kryesisht si një mjet mbështetës për vendimmarrje, dhe jo si një mekanizëm autonom vendimmarrës.

Përgjegjësia për vendimet administrative mbetet tek zyrtarët njerëzorë, ndërsa çdo veprim i sistemit regjistrohet në sistemet institucionale. Teknologjia që e mbështet funksionon kryesisht në cloud, duke treguar një kalim më të gjerë drejt shërbimeve dixhitale të centralizuara.

Megjithatë, edhe pse këto gjëra janë sqaruar, ende mungon informacion i detajuar për publikun: nuk dihet si funksionon saktësisht sistemi, çfarë të dhënash përdor për t’u trajnuar apo cilët faktorë ndikojnë në rezultatet që jep. Kjo mungesë transparence e bën të vështirë kontrollin nga jashtë dhe krijon një hendek mes asaj që thuhet zyrtarisht dhe mënyrës si funksionon realisht sistemi në praktikë.

4.2 Integrimi në infrastrukturën e qeverisjes dixhitale

Shërbimet që përdorin inteligjencën artificiale janë pjesë e sistemeve që menaxhohen nga Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, e cila kontrollon infrastrukturën dixhitale në Shqipëri. Këto sisteme janë të organizuara në mënyrë të centralizuar, lidhen me databaza të ndryshme shtetërore dhe funksionojnë kryesisht përmes shërbimeve cloud.

Kjo mënyrë organizimi mund të ndihmojë që shërbimet publike të jenë më të shpejta dhe më efikase. Por, nga ana tjetër, krijon një varësi të madhe nga sistemet e centralizuara dhe rrit mundësinë që shumë institucione të kenë akses në të dhëna të ndërlidhura.

Në të njëjtën kohë, nuk ka prova publike që këto sisteme janë kontrolluar përmes vlerësimeve të ndikimit të algoritmeve apo auditimeve të pavarura teknike. Kjo ngre pikëpyetje për transparencën, mbikëqyrjen dhe për mënyrën se si mund të kuptohet realisht ndikimi i tyre në qeverisje.

4.3 Infrastruktura e mbikëqyrjes dhe zhvillimi i “Smart City”

Paralelisht me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, Shqipëria po zgjeron edhe sistemin e ashtuquajtur “Smart City”. Ky përfshin teknologji si leximi automatik i targave, kamera për monitorimin e trafikut dhe sensorë të ndryshëm për mbikëqyrje.

Sipas dokumenteve të planifikimit dhe prokurimit, këto sisteme po vendosen në shkallë të gjerë me mijëra pajisje të lidhura në platforma të centralizuara që përdoren nga institucionet për zbatimin e ligjit.

Megjithatë, zyrtarisht thuhet se aktualisht këto teknologji përdoren vetëm për monitorim të zakonshëm me kamera dhe se njohja e fytyrës nuk është në përdorim.Kjo krijon një paqartësi të qartë: nga njëra anë ekziston një infrastrukturë me kapacitete të avancuara, dhe nga ana tjetër një përdorim i deklaruar shumë më i kufizuar. Kjo diferencë ngre pikëpyetje për mënyrën si mund të përdoren këto sisteme në të ardhmen dhe nëse funksionet e tyre mund të zgjerohen.

4.4 Mbikëqyrja dhe mbrojtja e të dhënave

Përgjigjet institucionale sugjerojnë se sistemet konsiderohen në përputhje me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e të dhënave, në linjë me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave. Megjithatë, nuk u gjetën prova publike për:

  1. vlerësime të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave (DPIA);
  2. instrumente specifike rregullatore për inteligjencën artificiale;
  3. mekanizma të qëndrueshëm të mbikëqyrjes së pavarur apo shqyrtimit parlamentar.

Edhe pse Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka rolin zyrtar për të mbikëqyrur këto çështje, nga informacionet publike duket se angazhimi i tij në monitorimin konkret të këtyre sistemeve është i kufizuar.

5. Rreziqet e qeverisjes

Gjetjet tregojnë disa rreziqe të rëndësishme në mënyrën si po qeverisen këto sisteme.

Së pari, ka mungesë transparence: publiku ka shumë pak informacion për mënyrën si funksionojnë sistemet e inteligjencës artificiale dhe mbi çfarë të dhënash mbështeten. Kjo e bën të vështirë të kuptohet kush mban përgjegjësi, sidomos kur këto sisteme ndikojnë në vendime dhe nuk ka mënyra të qarta për të gjurmuar si janë marrë ato.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi i sistemeve të mbikëqyrjes rrit aftësinë e shtetit për të mbledhur shumë të dhëna për qytetarët. Kjo krijon rrezikun që këto të dhëna të përdoren për qëllime të tjera nga ato fillestare (i njohur si “zvarritje funksioni”). Kur të dhënat grumbullohen në sisteme të centralizuara, rritet edhe rreziku i keqpërdorimit, mbledhjes së tepërt dhe mungesës së kontrollit efektiv.

Këto probleme nuk janë të izoluara ato përputhen me atë që tregojnë edhe studimet ndërkombëtare për sfidat e përdorimit të inteligjencës artificiale në vende ku sistemet dixhitale janë ende në zhvillim.

6. Diskutim: Implikimet për përafrimin me BE-në

Zhvillimet e fundit në Shqipëri po ngrejnë disa pyetje të rëndësishme për sa i përket përputhjes me standardet e Bashkimit Evropian. Në BE, përdorimi i teknologjisë  sidomos i inteligjencës artificiale  rregullohet duke u bazuar te rreziku dhe kërkon tre gjëra kryesore: transparencë, mundësi për të kuptuar si funksionon sistemi dhe kontroll të qartë nga njerëzit.

Në Shqipëri, këto elemente nuk janë gjithmonë të dukshme në praktikë. Kjo tregon se zhvillimi i teknologjisë po ecën më shpejt sesa ligjet dhe rregullat që duhet ta mbikëqyrin atë. Si rezultat, mund të krijohen probleme me përputhjen me rregullat e BE-së, veçanërisht në fusha si mbrojtja e të dhënave personale, të drejtat themelore dhe përgjegjshmëria e institucioneve.

7. Përfundim

Integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të mbikëqyrjes në administratën publike në Shqipëri pasqyron trendet globale të dixhitalizimit. Megjithatë, vendosja e këtyre sistemeve pa mekanizma të mjaftueshëm kontrollues dhe mbrojtës paraqet rreziqe të konsiderueshme.

Studimi konstaton se sistemet e IA-së janë funksionale, por mbeten jo mjaftueshëm transparente dhe pa auditim të pavarur. Ndërkohë, infrastruktura e mbikëqyrjes po zgjerohet në shkallë të gjerë pa garanci të qarta mbrojtëse, ndërsa kornizat rregullatore dhe institucionale mbeten të papregatitura plotësisht për të adresuar këto zhvillime.

Adresimi i këtyre boshllëqeve është thelbësor për të garantuar llogaridhënie, për të forcuar besimin publik, për të mbrojtur të drejtat themelore dhe për të mbështetur integrimin e Shqipërisë përmes standardeve të Bashkimit Evropian.

Referencat

Danaher, J., Hogan, M. J., Noone, C., Kennedy, R., Behan, A., De Paor, A., … Shankar, K. (2017). Algorithmic governance. Big Data & Society, 4(2).

European Commission. (2020). White paper on artificial intelligence. Brussels.

European Data Protection Board. (2020). Guidelines on video surveillance. Brussels.

European Union. (2016). General Data Protection Regulation.

European Union. (2024). EU AI Act.

OECD. (2021). AI in the public sector. Paris.

SHARE Foundation. (2022). Biometric surveillance in Serbia. Belgrade.

Veale, M., & Brass, I. (2019). Public sector machine learning. Public Money & Management, 39(5), 347–354.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit mediatik për të fuqizuar qytetarët 

Slow Media Albania (SMA) është pionere e gazetarisë së
ngadaltë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke i
dhënë përparësi raportimit etik, hulumtues dhe edukimit
mediatik për të fuqizuar qytetarët

Kontakt: 068 8008587
Adresa: Rruga “Foto Xhavella” Tirane Albania
Email: info@slowmediaalbania.org

© 2026 Slow Media Albania Designed by Abc Solutions.
Exit mobile version