Autore: Ina Allkanjari dhe Dallandyshe Xhaferri
Në letër, gazetarët në Shqipëri dhe Itali veprojnë në dy realitete institucionale krejtësisht të ndryshme. Italia është një nga shtetet themeluese të Bashkimit Europian, pjesë e një kuadri ligjor të konsoliduar që synon të garantojë pluralizmin përmes nismave të reja si Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA). Shqipëria, nga ana tjetër, është një vend kandidat që po përparon me hapa të shpejtë në negociatat e anëtarësimit dhe po përafron legjislacionin e saj me standardet e Brukselit.
Mirëpo, brenda redaksive ku prodhohet informacioni i përditshëm, ky kufi gjeografik dhe institucional zbehet ndjeshëm. Ndikimi i pronarëve të mediave, varësia nga fondet politike e tregtare, presioni i të kryqëzuarve të biznesit me pushtetin, paditë abuzive gjyqësore (SLAPP) dhe autocensura mbeten mekanizma aktivë që formësojnë lajmin si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Të dhënat nga raportet më të fundit të monitorimit dhe dëshmitë e drejtpërdrejta të gazetarëve e ekspertëve në të dyja vendet tregojnë se ekzistenca e ligjeve mbrojtëse nuk garanton automatikisht liri editoriale në praktikë.
Shqipëria: Kur garancitë ligjore përplasen me realitetin e redaksive
Në Shqipëri, liria e shprehjes dhe e shtypit është e garantuar me Kushtetutë, ndërsa censura ndalohet shprehimisht. Megjithatë, hendeku mes garancive formale dhe ushtrimit të profesionit mbetet shqetësim kryesor i organizatave ndërkombëtare.
Sipas “Raportit Vjetor 2025: Ndjekja e progresit të Shqipërisë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në përputhje me standardet e BE-së” nga SCiDEV dhe BIRN Albania, viti 2025 pasqyroi një paradoks: ndonëse Shqipëria u ngjit në vendin e 80-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij (RSF), 64.2% e gazetarëve të anketuar deklaruan se liria e shprehjes u përkeqësua, ndërsa 50% raportuan përkeqësim në aksesin ndaj informacionit. Më e theksuar akoma, rreth 80% e gazetarëve konfirmuan se u është dashur të braktisin ose të mos publikojnë një lajm për shkak të presioneve, censurës apo autocensurës.
Një nga shkaqet më të thella strukturore lidhet me përqendrimin e pronësisë mediatike në duart e pak grupeve ekonomike, bizneset e të cilave shtrihen në sektorë të rregulluar nga shteti si ndërtimi, energjia, turizmi dhe koncesionet publike.
Ndikimi ekonomik mbi mediat nuk shfaqet gjithmonë përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në punën e gazetarëve. Në një treg mediatik ku pronësia është e përqendruar, kufijtë mes interesave ekonomike dhe pavarësisë editoriale mund të bëhen më të vështirë për t’u dalluar.
Varësia nga reklamuesit, kontratat dhe burimet e tjera të financimit krijon një terren ku presioni mund të ushtrohet edhe pa një urdhër të drejtpërdrejtë për të mos publikuar një lajm. Në praktikë, kjo mund të ndikojë në zgjedhjen e temave, mënyrën se si trajtohen aktorë të caktuar dhe hapësirën që i lihet një gazetari për të ndjekur një investigim.
Këtë mekanizëm e përshkruan edhe Geri Emiri, gazetar investigativ dhe drejtues i medias Amfora.al, i cili e sheh autocensurën si një nga pasojat e një sistemi të tillë.
“Problemi më i madh nuk është domosdoshmërisht censura e drejtpërdrejtë ndaj gazetarit, por krijimi i një sistemi që prodhon autocensurë. Tregu shqiptar dominohet nga mediat e mëdha televizive, të cilat kanë njëkohësisht edhe një peshë të konsiderueshme online. Një pjesë e tyre janë pjesë e grupeve më të gjera të biznesit, me interesa edhe në sektorë të rregulluar nga shteti apo që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucionet publike.”
Reklamat, shton Emiri, mund ta forcojnë këtë varësi, pasi financimi i vazhdueshëm nga një reklamues mund ta bëjë më të vështirë raportimin kritik ndaj tij ose ndaj interesave të lidhura me të.
Por mekanizmi nuk përfundon te marrëdhënia mes medias dhe reklamuesit. Në një sistem ku mediat janë pjesë e grupeve më të mëdha të biznesit, interesat e pronarëve dhe marrëdhëniet e tyre me institucione publike mund të ndikojnë gjithashtu në hapësirën editoriale. Pikërisht këtu, sipas Emirit, presioni bëhet më pak i dukshëm.
“Presioni ndaj gazetarit nuk ka gjithmonë formën e një telefonate ku i kërkohet të mos publikojë diçka. Në një sistem të strukturuar, gazetari e mëson vetë se cilat tema konsiderohen të ndjeshme, cilët aktorë nuk duhen prekur dhe deri ku mund të shkojë investigimi.”
Pavarësia e medias nuk mund të sigurohet vetëm përmes ligjit. Përafrimi me standardet evropiane është i domosdoshëm, por mbetet i pamjaftueshëm pa ndryshime rrënjësore në vetë qëndrueshmërinë ekonomike të redaksive.
“Përafrimi i ligjit me standardet evropiane është i domosdoshëm, por nuk mjafton. Pa redaksi të pavarura, modele ekonomike të qëndrueshme dhe mekanizma profesionalë vetërregullimi, një ligj i mirë mund të mbetet vetëm në letër”, thekson Geri Emiri.
Gazetarja Inva Hasanaliaj, drejtuese e organizatës mediatike Slow Media Albania, përshkruan efektin domino që sjell pronësia dhe varësia financiare te pavarësia e gazetarit dhe cilësia e lajmit për publikun:
“Sot që flasim, pronësia e mediave dhe financimi i tyre përbën një nga pengesat kryesore të ushtrimit të profesionit të gazetarit në mënyrë të pavarur. Kjo problematike sjell një efekt domino e cila prek pavarësinë editoriale, profesionalizmin e gazetarëve të cilët detyrohen të censurohen apo në shumë raste edhe të vetëcensurohen, duke arritur deri te publiku, të cilit i ofrohet një material në më të mirën e rasteve i cunguar dhe në më të keqen keqinformues.”
Më tej, Hasanaliaj vë theksin te presioni psikologjik dhe pasiguria ekonomike që cenojnë drejtpërdrejt pavarësinë e profesionistëve të medias:
“Asnjëherë një gazetar që punon në kushte të pasigurta ekonomike nuk mund të jetë i pavarur. Këta gazetarë janë si ‘mina psikologjike’ që mundohen të sjellin versionin më të mirë të lajmit, ndërkohë që askush nuk ndalet të pyesë për kushtet ku punojnë. Është për të ardhur keq që sot diskutojmë ende për kontratat e punës e pagat e prapambetura, duke lënë në hije shëndetin mendor.”
Presioni politik, kontrolli i informacionit dhe “çmimi” i pyetjeve të vështira
Raporti i SCiDEV “Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2025” (me autore Blerjana Bino) nxjerr në pah se aktorët politikë dhe zyrtarët qeveritarë mbeten burimi kryesor i presionit mbi gazetarët me 65.1%, të ndjekur nga partitë politike, krimi i organizuar, si dhe vetë pronarët e mediave. Pikërisht gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, kontrolli i mesazhit publik arriti kulmin. Pothuajse 48.9% e gazetarëve konfirmuan se përdorimi masiv i materialeve të përgatitura paraprakisht (kasetave) nga partitë kufizoi pavarësinë e tyre editoriale, ndërsa 75.6% raportuan se kjo praktikë uli cilësinë e raportimit dhe pamundësoi pyetjet kritike.
Rasti i gazetarit Klevi Muka ilustron se çfarë ndodh kur një profesionist guxon të thyejë këtë kornizë të kontrolluar. Në korrik 2022, pasi i drejtoi një pyetje kërkuese ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ai u përjashtua nga konferencat për shtyp nga vetë Kryeministri, ndërsa goditja pasoi menjëherë edhe brenda redaksisë:
“Menjëherë pas konferencës shkova në redaksi, ku pashë që edhe aty nuk isha më i mirëpritur. Ata iu bashkuan vendimit të kryeministrit që unë të mos isha më pjesë e konferencave, madje shkuan më tej duke më kërkuar largimin nga puna.”
Muka spjegon se si presioni sot shfaqet përmes dilemave ekzistenciale midis parimeve profesionale dhe qëndrimit në tregun e punës:
“Presionet nuk janë më të drejtpërdrejtë. Thjesht ti vendos: do vazhdosh karrierën tënde në media, apo do dalësh jashtë tregut duke bërë gazetarin. Dikur një drejtues më tha: ‘Shiko, ke një rrugë të gjatë përpara, mos e pri në mes!’. Problemi është kur linja editoriale bie ndesh me parimet gazetareske.”
Për Isa Myzyrajn, gazetar dhe përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), format e presionit ndaj gazetarëve janë bërë dukshëm më të sofistikuara se në të shkuarën:
“Presioni ndaj gazetarëve sot nuk shfaqet vetëm në formën klasike të kërcënimit apo dhunës fizike. Përkundrazi, një pjesë e madhe e tij është bërë më e sofistikuar: presion ekonomik, pasiguri në vendin e punës, ndërhyrje editoriale, kërcënime me padi, fushata denigruese në rrjetet sociale, kufizim i aksesit në informacion dhe përpjekje për të delegjitimuar gazetarin kur raportimi i tij prek interesa të caktuara.”
Teksa analizon burimet e këtij presioni, Myzyraj sqaron se përveç politikës, struktura ekonomike e mediave krijon vija të kuqe të heshtura që ushqejnë autocensurën:
“Sigurisht, politika mbetet një burim i rëndësishëm presioni, veçanërisht përmes gjuhës publike ndaj gazetarëve, kontrollit të informacionit dhe përpjekjes për të anashkaluar gazetarin duke prodhuar vetë përmbajtjen që u shpërndahet mediave. Por presioni vjen edhe nga vetë struktura ekonomike e medias. Në një treg relativisht të vogël, ku shumë media varen nga pronarë me interesa biznesi edhe jashtë sektorit mediatik, gazetari mund të përballet me kufij editorialë që nuk janë të shkruar askund, por që kuptohen shumë mirë në redaksi.”
Më tej, ai nënvizon se liria e medias matet përmes garantimit të hapësirës për të raportuar pa pasur frikë nga hakmarrja:
“Liria e medias nuk matet vetëm me pyetjen nëse një gazetar është arrestuar apo sulmuar fizikisht. Ajo matet me pyetjen: a mundet ai të publikojë një fakt me interes publik pa pasur frikë se nesër do të humbasë punën, do të paditet apo do të sulmohet nga pronari?”
Cenueshmëria e lirisë së medias në Shqipëri u pasqyrua qartë edhe gjatë ngjarjeve të gushtit 2025 me bllokimin e Focus Media Group (News24, Panorama, BalkanWeb), ku ndërhyrja e autoriteteve shtetërore ndërpreu transmetimet dhe bllokoi redaksitë, një masë që më pas u cilësua joproporcionale nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjithashtu, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në prill 2025 për rastin e gazetarit Elton Qyno vendosi një precedent të rëndësishëm duke mbrojtur konfidencialitetin e burimeve kundër sekuestrimeve arbitrare. Në total, Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve për Shqipërinë për vitin 2025 nga SCiDEV shënoi vetëm 2.98 nga 7 pikë të mundshme, ku treguesi i kushteve të punës dhe sigurisë në punë mbetet më i ulëti me 1.99 pikë. Më shumë se 63.9% e gazetarëve që përballen me kërcënime zgjedhin të mos i denoncojnë ato në polici apo prokurori për shkak të mungesës së besimit tek institucionet.
Itali: Paradoksi i një shteti anëtar të BE-së
Ndërsa Shqipëria synon integrimin në BE si mjet për forcimin e institucioneve, përvoja e Italisë tregon se statusi i anëtarit dhe kuadri ligjor europian nuk e imunizojnë median nga presioni strukturor. Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2026 nga Center for Media Pluralism and Media Freedom (CMPF), liria e medias në Itali përballet me rreziqe të konsiderueshme: pavarësia politike e medias si dhe mbrojtja ndaj ndikimit komercial e pronarëve (commercial and owner influence) klasifikohen që të dyja në nivelin e rrezikut “mesatar i lartë” (medium-high risk).
Marta Frigerio, përfaqësuese për Italinë e Reporters Without Borders (RSF), tregon se situata në gadishullin Apenin po përkeqësohet me ritme shqetësuese:
“Të dhënat përfundimtare të organizatës ‘Ossigeno per l’Informazione’ për vitin 2025 flasin për 759 gazetarë të kërcënuar – një rritje prej 47% brenda 12 muajve. Aktualisht në Itali, 15 gazetarë jetojnë nën mbrojtje të drejtpërdrejtë policore.”
Një investigim i realizuar nga Frigerio dhe Gianluca Liva zbuloi se të paktën 114 raste kërcënimesh lidheshin posaçërisht me gazetarët që mbulonin krizën klimatike dhe çështjet mjedisore. Përveç kësaj, Italia mbetet ndër vendet më të prekura në Europë nga paditë abuzive gjyqësore:
“Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) mbeten një armë jashtëzakonisht e përhapur, ndërsa Italia renditet ndër vendet e para të BE-së për këtë fenomen,” thekson Frigerio.
Kërcënimet fizike dhe politike nuk janë abstrakte për gazetaren investigative italiane Nuri Fatolahzadeh, e cila punon prej 16 vitesh në mbulimin e politikës, mjedisit dhe krizës klimatike. Për shkak të investigimeve të saj, ajo mori një letër direkte kërcënuese në shtëpi nga një grup i ekstremit të djathtë:
“Më drejtoheshin me emër e mbiemër, i referoheshin artikujve që kisha shkruar dhe më bënin të ditur se e dinin ku jetoja. Përmbante një fjali që nuk mund të keqinterpretohej: ‘Vetëm të vdekurit nuk kthehen më’.”
E pyetur se si ndikojnë këto kërcënime në punën e saj, Fatolahzadeh zbërthen mekanizmin psikologjik të intimidimit që çon në autocensurë:
“Qëllimi më efektiv i një kërcënimi ndaj një gazetari nuk është domosdoshmërisht ta pengojë atë të publikojë atë që ka zbuluar tashmë. Qëllimi është që herën tjetër, përpara se të bëjë një pyetje, të kërkojë një dokument apo të rikthehet te një çështje, ai të pyesë veten nëse ia vlen vërtet.”
Fatolahzadeh thekson se pavarësia e medias nuk mund të matet vetëm duke pyetur nëse një gazetar mund të kritikojë qeverinë apo një kompani:
“Pavarësia varet nga pronësia e gazetes, marrëdhëniet me politikën e reklamuesit, por edhe nga faktorë shumë më pak të dukshëm: koha që redaksia i jep gazetarit, burimet që investon, pasiguria në punë, aksesi në informacion dhe kostoja personale e vazhdimit të një historie.”
Pikat e takimit mes dy anëve të Adriatikut: Rruga drejt reformave reale
Krahasimi mes Shqipërisë dhe Italisë nxjerr në pah një leksion thelbësor për politikat mediatike të Bashkimit Europian. Adoptimi i kornizave ligjore, si Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA) apo direktivat Anti-SLAPP, është një kusht i nevojshëm, por tërësisht i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me masa strukturore në tregun e punës dhe në transparencën e pronësisë. Si në Shqipëri ashtu edhe në Itali, gazetaria përballet me sfida të ngjashme që cenojnë drejtpërdrejt pavarësinë e informacionit.
Në të dyja anët e Adriatikut vërehet përqendrimi i pronësisë mediatike nga kaste biznesmenësh, të cilët i përdorin redaksite e lajmeve si mburojë ose si mjet pazari me pushtetin publik. Kjo shoqërohet me një pasiguri të theksuar ekonomike për gazetarët, ku kontratat e brishta dhe pagesat e ulëta e bëjnë profesionistin e medias mjaft të cenueshëm ndaj çdo presioni editorial. Gjithashtu, përdorimi i gjykatave si mjet frikësimi përmes padive abuzive (SLAPP) mbetet një kërcënim konstant, pasi kostoja e lartë e mbrojtjes ligjore shpesh detyron redaksitë e vogla të braktisin investigimet me interes publik.
Në këtë kuadër, standardet e demokracisë mund të vendosen në Bruksel apo të shkruhen formalisht në udhërrëfyesit e integrimit. Megjithatë, liria e vërtetë editoriale mbrohet çdo ditë brenda redaksive: te pyetja kritike që një gazetar guxon të bëjë në një konferencë shtypi, te koha dhe burimet që investohen për një investigim, si dhe te siguria se mbrojtja e së vërtetës nuk do t’i kushtojë gazetarit vendin e punës apo sigurinë personale.
Shënim: Ky artikull është prodhuar në kuadër të Rrjeteve Tematike të PULSE, një nismë evropiane që mbështet bashkëpunimet gazetare transnacionale.
