Kur “tempulli i demokracisë” kthehet në arenë denigrimi
Ina Allkanjari
Seanca plenare e 5 marsit 2026 në Kuvendin e Shqipërisë u shndërrua në një tjetër episod ku gjuha seksiste dhe fyerjet personale zëvendësuan debatin mbi politikat publike.
Gjatë një shkëmbimi replikash, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu drejtua deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, me fjalinë: “Për ty kam numrin 0900”. Në kontekstin shqiptar, kjo shprehje lidhet me linjat telefonike erotike me pagesë dhe u interpretua menjëherë si një insinuatë denigruese ndaj figurës së saj.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Deputeti Gazment Bardhi iu kundërpërgjigj me fyerje të ashpra, duke e përshkallëzuar diskursin në një denigrim kolektiv gjinor. Edhe pse Sekretariati i Etikës mori masa, vendimi u konsiderua selektiv. Më vonë, Balla tentoi ta rikornizonte deklaratën si referencë ndaj një linje informacioni të BE-së, por fakti që numri zyrtar i BE-së është tjetër la pas dyshime për një përpjekje për të minimizuar pasojat e një sulmi misogjen.
Ngjarje të tilla nuk janë të izoluara. Ato janë pjesë e një modeli komunikimi të ndërtuar ndër vite në politikën shqiptare. Që prej viteve ’90, debati politik është karakterizuar shpesh nga polarizimi ekstrem, ku kundërshtari nuk trajtohet si rival politik, por si armik që duhet poshtëruar.
Në vend të diskutimeve mbi ligje dhe politika publike, vëmendja zhvendoset te konfliktet dhe deklaratat fyese. Problemi thellohet sepse çdo deklaratë në Kuvend transmetohet drejtpërdrejt dhe përhapet menjëherë në media dhe rrjete sociale. Kjo krijon një stimul të fortë për përdorimin e gjuhës provokuese, e cila garanton më shumë vëmendje publike. Sipas ekspertëve, kjo nuk është rastësi. Është një strategji për të dominuar ciklin mediatik dhe për të larguar vëmendjen nga problematikat reale që prekin qytetarët.
Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM), thotë se diskursi parlamentar mbetet prodhuesi më i madh i gjuhës së urrejtjes në vend, jo vetëm për shkak të peshës kushtetuese, por edhe sepse është eventi politik që pasqyrohet më gjerësisht. “Në kushtet kur ky diskurs nuk ka impakt real, media kërkon brenda tij elementin shokues dhe spektakolar. Edhe gjuha e urrejtjes kthehet në spektakël”, thotë Cukali.
Problemi thellohet kur media dështon të veprojë si filtër kritik dhe, në vend që t’i bëjë rezistencë këtij diskursi, bëhet pjesë e amplifikimit të tij. “Media në të vërtetë ndihmon gjuhën e urrejtjes, kur duhet të ishte filtër i saj”, thekson ai.
Cukali e konsideron gjuhën e urrejtjes një mjet të qëllimshëm politik, të përdorur për të tërhequr vëmendje dhe për të zhvendosur fokusin nga çështjet reale. “Gjuha e urrejtjes është normalizuar sepse shpesh është një armë efektive politike”, thotë ai, teksa thekson se ky normalizim nis nga vetë establishmenti politik, ku fyerjet shpesh kalojnë pa reagim, edhe kur kanë natyrë haptazi seksiste.
Sipas Entenela Ndrevataj, koordinatore pranë organizatës Albanian Women in Audiovisual (AWA), gjuha e urrejtjes parlamentare reflektohet në media pothuajse e pafiltruar, duke u kthyer në një produkt konsumi të rrezikshëm. “Një pjesë e medias e trajton atë si spektakël. Kjo krijon efektin e normalizimit, ku ofendimi dhe denigrimi perceptohen si pjesë e zakonshme e komunikimit politik”, thotë Ndrevataj. Ky trajtim, sipas saj, bën që gjuha e urrejtjes të mos shihet më si problem etik, por si mjet për të gjeneruar klikime dhe vëmendje online.
Të dhënat e Raportit të Monitorimit mbi Gjuhën e Urrejtjes në Shqipëri, të publikuar nga Albanian Women in Audiovisual dhe Media Diversity Institute Western Balkans, mbështesin këtë shqetësim. Raporti tregon se gjuha e urrejtjes me bazë gjinore mbetet kategoria dominante, me 40.6% të incidenteve të raportuara gjatë periudhës 2024-2025.
Gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë grupi më i shënjestruar, çka dëshmon vazhdimësinë strukturore të seksizmit në hapësirën publike shqiptare. “Ajo që është më shqetësuese nuk është vetëm përdorimi i kësaj gjuhe, por pranimi i saj si ‘stil politik’ apo ‘debat normal’. Kur gjuha seksiste nuk denoncohet, ajo kthehet në normë”, shprehet Ndrevataj.
Ky “stil” komunikimi, i nxitur edhe nga logjika e rrjeteve sociale, po i shtyn redaksitë drejt lajmeve konfliktuale dhe titujve bombastikë për të rritur audiencën. Pasojat, sipas Ndrevatajt, janë të thella dhe prekin drejtpërdrejt cilësinë e demokracisë dhe barazinë gjinore në vend.
“Kemi normalizim të dhunës verbale si mënyrë komunikimi. Gratë dhe vajzat dekurajohen të marrin pjesë në jetën publike dhe politike. Tkurren hapësirat për grupet e margjinalizuara dhe nxitet urrejtja online”, thotë ajo. Përtej dëmit individual ndaj politikaneve apo aktivisteve që bëhen objekt sulmesh seksiste, ky mjedis toksik prodhon edhe një rënie të besimit te institucionet demokratike. “Kur vetë Parlamenti bëhet burim i gjuhës së urrejtjes dhe dhunës verbale, dëmtohet besimi te institucionet”, shton Ndrevataj.
Debati i dobët dhe algoritmet
Dorentina Hysa, autore e raportit të monitorimit dhe eksperte e medias, vëren se problemi nis nga degradimi i debatit brenda vetë institucionit legjislativ. “Në diskursin parlamentar debati i qenësishëm është i dobët. Për pasojë, atë pak debat real e mbyt komunikimi konfliktual dhe i polarizuar”, thotë Hysa, teksa thekson se ky mjedis mbushet me elementë të rrezikshëm të gjuhës së urrejtjes, si dehumanizimi, delegjitimimi i kundërshtarit dhe seksizmi.
Ky lloj komunikimi normalizon agresivitetin në nivelet më të larta të politikëbërjes dhe zhvendos vëmendjen e publikut nga çështjet reale drejt sulmeve personale. “Retorika agresive përdoret si strategji komunikimi dhe e ka kthyer diskursin parlamentar në performancë për rrjetet sociale”, thotë Hysa.
Ajo argumenton se mediat online luajnë rolin e katalizatorit në këtë proces, ku shpejtësia e publikimit dhe logjika e klikimeve diktojnë përmbajtjen. “Algoritmi shpërblen atë që shihet dhe në këtë rast interesi financiar prevalon mbi interesin publik”, shprehet ajo.
Kjo logjikë financiare bën që mediat, në garë me njëra-tjetrën dhe shpesh me burime njerëzore të kufizuara, të zgjedhin tituj sensacionalë dhe situata të nxjerra jashtë kontekstit. Monitorimi i rrjetit Reporting Diversity Network (RDN) tregon se incidentet që riprodhojnë gjuhën e urrejtjes në tituj arrijnë audienca deri në 300 mijë shikime, duke krijuar një stimul të drejtpërdrejtë ekonomik për vazhdimin e këtij cikli.
Gjuha e urrejtjes në shifra
Gjatë periudhës janar 2024 – qershor 2025, monitorimi i RDN identifikoi 96 incidente të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri. Kategoria më e prekur rezulton “gjinia”, me 40.6% të rasteve, ku mbizotërojnë sulmet seksiste ndaj grave në politikë. Kundërshtarët politikë përbëjnë 12.5% të incidenteve, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet 2022 dhe 2023.
Analiza e sentimentit tregon se 46.9% e incidenteve klasifikohen në nivelin 3, me karakter negativ ose fyes, ndërsa 12.5% e rasteve nxisin hapur dhunën. Sipas raportit, zgjedhjet parlamentare të majit 2025 dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë publikë kanë qenë ndër nxitësit kryesorë të këtyre shpërthimeve.
Problematika reflektohet qartësisht edhe në median audiovizive. Në përgjigje të një kërkese për informacion, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) bën me dije se, nga monitorimi i kryer nga Drejtoria e Monitorimit dhe Analizës, gjatë vitit 2025 gjuha e urrejtjes përbën 39% të shkeljeve të konstatuara, krahasuar me rreth 21% në vitin 2024. Sipas AMA-s, këto raste karakterizohen kryesisht nga përdorimi i gjuhës fyese, denigruese dhe poshtëruese, si dhe nga elementë diskriminues, përfshirë përmbajtje me natyrë mizogjiniste.
Në të njëjtën përgjigje, AMA thekson se nuk ka juridiksion mbi deklaratat që burojnë nga aktorë politikë në kuadër të veprimtarisë së tyre parlamentare apo politike, të cilat shpesh transmetohen drejtpërdrejt nga mediat audiovizive pa ndërhyrje editoriale. Në këto raste, përmbajtja nuk konsiderohet produkt editorial i medias, por pasqyrim i deklarimeve të një pale të tretë.
Megjithatë, raporti vjetor i AMA-s evidenton se deklaratat me përmbajtje urrejtjeje riprodhohen shpesh në programe debati dhe edicione informative pa filtrin e nevojshëm editorial. Një problem i veçantë mbetet edhe roli i moderatorëve, ndërhyrja e të cilëve vlerësohet shpesh si e pamjaftueshme përballë sulmeve verbale dhe shkarkimeve emocionale që cenojnë dinjitetin njerëzor.
Parlamenti po funksionon si gjenerator i gjuhës së urrejtjes, ndërsa një pjesë e medias po e amplifikon atë në emër të interesave ekonomike dhe politike. Ky cikël denigrimi nuk dëmton vetëm individët e shënjestruar. Ai dëmton cilësinë e debatit publik, normalizon agresivitetin dhe gërryen besimin te institucionet demokratike.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.

