Manifesti i Gazetarisë së Ngadaltë
Në dekadën e parë të shekullit të 21-të, të njohur ndryshe si “vitet 2000”, bazat teknologjike të mjedisit mediatik ndryshuan rrënjësisht: nga ky moment, fjalët më të rëndësishme janë rrjetet, interneti dhe mediat sociale. Dekada e dytë do të jetë më pak për gjetjen e teknologjive të reja që e bëjnë prodhimin e përmbajtjes mediatike më të lehtë, më të shpejtë dhe me pak kosto. Ajo do të fokusohet në zhvillimin e përgjigjeve më të përshtatshme ndaj këtij revolucioni mediatik – pra, në integrimin e tij politik, kulturor, social, dhe përdorimin e tij në mënyrë konstruktive. Koncepti i “Slow” – i ngadaltë, ashtu si tek “Slow Food” – ushqim i ngadaltë, dhe jo si “Slow Down” – ngadalësim – është çelësi për këtë. Në analogji me ushqimin e ngadaltë, media e ngadaltë nuk ka të bëjë me konsumimin e shpejtë, por me përzgjedhjen e përbërësve dhe përqendrimin në përgatitjen e saj. Në thelb, media e ngadaltë është ftuese dhe mikpritëse; asaj i pëlqen të ndajë me të tjerët.
1. Media e ngadaltë kontribuon në qëndrueshmëri: Qëndrueshmëria, në këtë rast, i referohet materialeve të para, proceseve të përdorura dhe kushteve të punës në të cilat prodhohet një medium. Shfrytëzimi, pagat e ulta, si dhe tregtimi i të dhënave të përdoruesve nuk sjellin media të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, termi i referohet konsumit të qëndrueshëm të mediave të ngadalta.
2. Media e ngadaltë promovon monotasking (kryerjen e një detyre në kohë): Gazetaria e ngadaltë nuk mund të konsumohet rastësisht; përkundrazi, ajo kërkon përqendrimin e përdoruesve. Ashtu si përgatitja e një vakti të mirë kërkon vëmendjen e plotë të të gjitha shqisave, si nga kuzhinieri, ashtu edhe nga të ftuarit e tij, media e ngadaltë mund të konsumohet me kënaqësi vetëm duke u përqendruar.
3. Media e ngadaltë synon përsosmërinë: Media e ngadaltë nuk karakterizohet domosdoshmërisht nga zhvillimet e fundit në treg. Megjithatë, është e rëndësishme përmirësimi i vazhdueshëm i aplikacioneve të përdoruesve, të cilat janë të përshtatura në mënyrë të përkryer për zakonet e përdorimit të mediave nga lexuesit.
4. Media e ngadaltë e bën cilësinë të prekshme : Media e ngadaltë e mat veten kundrejt standardeve të larta për sa i përket prodhimit, pamjes dhe përmbajtjes, duke e veçuar veten nga homologët e saj të shpejtë dhe jetëshkurtër, qoftë përmes një ndërfaqeje me cilësi të lartë, ashtu edhe përmes një dizajni frymëzues estetik.
5. Media e ngadaltë promovon “prosumatorët” (njerëz që vendosin në mënyrë aktive se çfarë dhe si duan të konsumojnë dhe prodhojnë): Media e ngadaltë zëvendëson konsumatorin pasiv me “prosumatorin” aktiv, i cili frymëzohet për ide dhe veprime të reja nga përdorimi i mediave. Kjo mund të shfaqet në cepat e një libri ose në diskutime mes miqve. Media e ngadaltë frymëzon; ajo ka një ndikim në mënyrën se si përdoruesit mendojnë, veprojnë dhe ndihen, edhe vite më vonë.
6. Mediat e ngadalta janë diskursive dhe dialoguese: Ato kërkojnë dikë me të cilin mund të kontaktojnë; zgjedhja e mediumit në këtë rast është dytësore. Dëgjimi është po aq i rëndësishëm sa edhe i foluri në mediat e ngadalta. “I ngadalshëm” do të thotë të jesh i vëmendshëm dhe në gjendje të vësh në dyshim qëndrimet e tua nga një këndvështrim tjetër.
7. Media e ngadaltë është media sociale: Rreth mediave të ngadalta gjallojnë komunitete kumbues, pavarësisht nëse ky është një autor i gjallë që shkëmben ide me lexuesit e tij apo një muzikant që nuk jeton më, muzika e të cilit është e rrethuar nga një komunitet aktiv interpretimi. Në këtë mënyrë, media e ngadaltë promovon diversitetin dhe respekton veçoritë kulturore dhe lokale.
8. Media e ngadaltë i merr seriozisht përdoruesit e saj: Media e ngadaltë u qaset përdoruesve të saj me vetëbesim dhe në mënyrë miqësore. Ajo ka një sens mase mbi kompleksitetin dhe ironinë që përdoruesit e saj janë të përgatitur për të marrë. Mediat e ngadalta nuk i shikon përdoruesit e saj në mënyrë didaktike, por as nuk u qaset atyre në mënyrë të nënshtruar.
9. Mediat e ngadalta rekomandohen më tepër sesa reklamohen: Suksesi i mediave të ngadalta nuk qëndron te presioni i reklamave në të gjitha kanalet e mundshme, por në rekomandimet nga miqtë, kolegët dhe familja. Një libër që e blini pesë herë për t’ia dhuruar miqve tuaj është një shembull i mirë për këtë.
10. Media e ngadaltë është e pakohë : Mediat e ngadalta kanë një jetëgjatësi të madhe dhe duken të freskëta edhe pas disa vitesh apo dekadash. Ato nuk e humbasin cilësinë me kalimin e kohës, madje fitojnë një shkëlqim që rrit vlerën e tyre.
11. Mediat e ngadalta janë rrezatuese: Mediat e ngadalta rrezatojnë një atmosferë të veçantë. Ato i japin përdoruesit ndjenjën se mediumi i përket pikërisht këtij momenti të jetës së tyre. Edhe nëse mediat e ngadalta prodhohen në mënyrë industriale ose pjesërisht bazohen në mjetet e prodhimit industrial, ato japin përshtypje unike dhe synojnë përtej vetvetes.
12. Mediat e ngadalta janë progresive, jo reaksionare: Mediat e ngadalta mbështeten në zhvillimet e tyre teknologjike dhe mënyrat e të jetuarit të shoqërisë së rrjeteve. Është pikërisht përshpejtimi në shumë fusha të jetës që i bën ishujt e ngadalësisë së vetëdijshme jetike për mbijetesën. Media e ngadaltë nuk është një kontrast i shpejtësisë së Twitter, apo rrjeteve sociale; përkundrazi, ajo përfaqëson një qëndrim për mënyrën e përdorimit të tyre..
13. Media e ngadaltë fokusohet në cilësi: Kjo nënkuptohet si në prodhimin ashtu edhe në marrjen e përmbajtjes mediatike. Aftësitë e shkencës kulturore, si kritika e burimeve, klasifikimi dhe peshimi i burimeve të informacionit, po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, veçanërisht me rritjen e disponueshmërisë së informacionit.
14. Mediat e ngadalta kërkojnë besim dhe marrin kohë për të qenë të besueshme. Pas mediave të ngadalta ka njerëz të vërtetë dhe çdokush mund ta kuptojë.
Stockdorf dhe Bonn, më 2 janar, 2010
Benedikt Köhler
Sabria David
Jörg Blumtritt
(Lexo Manifestin origjinal në gjermanisht dhe anglisht)