Ina Allkanjari
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, kryetari i atëhershëm i opozitës dhe sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri një deklaratë të fortë që ngjalli shpresë te mijëra familje shqiptare. Në një fjalim publik, ai u zotua se qeveria e tij do të hiqte Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet bazë të shportës ushqimore.
“Nuk do t’i kërkojmë më familjes së zakonshme të këtij vendi të paguajë 20% taksë për kilogram bukë, 20% taksë për kilogram qumësht, 20% taksë për kokrrën e vezës, apo për vaj, miell, oriz. Ne do t’i bëjmë zero taksat e ushqimit për popullin,” – deklaroi Rama në maj 2013.
Premtimi u komunikua si një masë që do të lehtësonte barrën ekonomike për familjet shqiptare dhe do të ndihmonte në uljen e çmimeve të konsumit. Sot, pas më shumë se një dekade, ky premtim mbetet i parealizuar. Ushqimet bazë në Shqipëri vazhdojnë të tatohen me normën e plotë 20% të TVSH-së – një nga më të lartat në rajon dhe në Europë.
Realiteti pas zgjedhjeve: TVSH që nuk u hoq kurrë
Pas ardhjes në pushtet, qeveria nuk ndërmori asnjë hap për të përmbushur zotimin e dhënë. Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes socialiste, niveli i TVSH-së mbi ushqimet bazë mbeti i pandryshuar. Argumenti i përsëritur nga Ministria e Financave ka qenë ruajtja e stabilitetit fiskal dhe e të ardhurave buxhetore.
Në përgjigjen zyrtare ndaj një kërkese për informacion, Ministria e Financave thekson se:
“Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 847, datë 26.12.2024, ka miratuar Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planin e Veprimit 2024–2027, një reformë e mbështetur nga FMN, e cila nuk përmban ndonjë parashikim lidhur me ndryshimin e normës së tatimit mbi vlerën e shtuar të aplikueshme mbi ushqimet bazë.”
Sipas këtij institucioni, fokusi mbetet tek konsolidimi i financave publike, rritja e të hyrave në buxhet dhe ulja graduale e deficitit e borxhit publik, përfshirë edhe “harmonizimin me kuadrin rregullator evropian.” Ministria nënvizon se TVSH-ja është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm i të ardhurave tatimore, duke siguruar mesatarisht 8.7% të PBB-së gjatë dekadës së fundit, çka shpjegon hezitimin për ta reduktuar këtë normë.
Ekspertët kundër argumentit të qeverisë
Por ekspertët e ekonomisë e shohin ndryshe. Pano Soko, ekonomist dhe njohës i politikave publike, vlerëson se efekti i një uljeje të TVSH-së mbi ushqimet bazë do të ishte i menaxhueshëm për buxhetin, ndërsa përfitimet për konsumatorin do të ishin të menjëhershme:
“Normalisht do të kishte një efekt mbi të ardhurat buxhetore, por ky efekt është plotësisht i përballueshëm. Nëse TVSH-ja do të hiqej për gamën e gjerë të ushqimeve bazë, ndikimi financiar do të ishte rreth 20 miliardë lekë, pra vetëm 2.5% e buxhetit vjetor. Ky është një nivel që mund të kompensohet përmes zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe rritjes së konsumit.”
Ai shton se problemi nuk qëndron vetëm tek ulja e tatimit, por tek mënyra e zbatimit të tij.
“Qeveria, për shembull, ka vendosur më parë zerimin e TVSH-së për produkte si mielli, por tregtarët shpesh nuk e reflektojnë këtë në çmime. Një pjesë të përfitimit e mbajnë për vete. Prandaj çdo reformë e tillë kërkon mekanizma kontrolli dhe transparencë në zinxhirin tregtar.”
TVSH-ja dhe fuqia blerëse: më e ndjeshme për familjet me të ardhura të ulëta
Në vitin 2025, inflacioni në Shqipëri arriti në 2.5%, niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2024, sipas INSTAT. Kjo rritje u diktua kryesisht nga çmimet e ushqimeve bazë: vajrat dhe yndyrnat u rritën me 6.7%, zarzavatet me 5.4%, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët me 3.6%.
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thekson se “kjo është një taksë konsumimi që ndikon negativisht në nivelin e jetesës së familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta, pasi ato detyrohen të shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave për ushqim.”
Gjatë vitit 2024, rreth një në pesë familje shqiptare, ose 19,2% e tyre kanë jetuar në rrezik për të qenë të varfra, sipas të dhënave të INSTAT. Po ashtu, 40,5% e popullsisë është vlerësuar se ndodhet në rrezik për varfëri ose përjashtim social, duke reflektuar sfida të vazhdueshme në sigurimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale në vend.
Për këto familje, çdo rritje çmimi reflektohet menjëherë në standardin e jetesës, ndërsa tatimi mbi ushqimet bazë shton presionin ekonomik.
Përtej shifrave, ndikimi i TVSH-së ndihet më fort në përditshmërinë e qytetarëve. Mirela, 46 vjeç, nënë e dy fëmijëve nga Tirana, tregon:
“Unë shkoj në treg dhe ndjej menjëherë rritjen e çmimeve. Çdo javë diçka tjetër bëhet më e shtrenjtë. Tani blejmë më pak mish, më pak vaj, më shumë makarona. Çdo ditë duhet të zgjedhim çfarë të blejmë e çfarë të lëmë.”
Çmimet e larta dhe TVSH-ja e pandryshuar kanë ndikuar ndjeshëm në kushtet e jetesës për shumë familje, duke bërë të qartë nevojën për reforma fiskale dhe sociale që të zbutin barrën mbi konsumatorin.
Ekonomia kundrejt konsumatorit: kush përfiton nga TVSH-ja?
Sipas të dhënave të INSTAT, shpenzimet për ushqim zënë rreth 40% të buxhetit të familjeve shqiptare, shumë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së (13–35%).
Ekspertët argumentojnë se TVSH-ja është regressive, pra godet më shumë shtresat me të ardhura të ulëta, pasi ato shpenzojnë një përqindje më të madhe të të ardhurave në ushqim. Nga ana tjetër, qeveria argumenton se një ulje e TVSH-së nuk garanton automatikisht ulje të çmimeve, pasi tregu shpesh i thith këto lehtësira pa i reflektuar në raftet e dyqaneve.
Sipas Preçit TVSH-ja mbi ushqimet e shportes kontribuon shumë në buxhetin e shtetit, mesatarisht rreth 9% të PBB-së dhe rreth 45% të të ardhurave totale tatimore gjatë pesë viteve të fundit. “Duke pasur parasysh se rreth 40% e shpenzimeve të familjeve shkojnë për ushqime, pesha specifike e kësaj takse është shumë e lartë. Një fjalë e vjetër thotë: ‘Të varfërit taksohen jo se kanë shumë, por se janë shumë.’”
Krahasimi rajonal: Shqipëria me normën më të lartë në Ballkan
Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të rajonit kanë aplikuar norma të reduktuara të TVSH-së mbi ushqimet bazë: Serbia 10%, Kosova 8%, Mali i Zi 7%, Maqedonia e Veriut 5%. Në Bashkimin Europian, disa vende si Irlanda, Belgjika dhe Malta aplikojnë TVSH zero për produktet bazë ushqimore – një politikë e qartë për të ulur pabarazitë sociale.
Në këtë krahasim, Shqipëria mbetet me një nga normat më të larta në rajon dhe Europë. Dymbëdhjetë vite pas premtimit për “zero taksa mbi ushqimet e popullit”, realiteti mbetet i pandryshuar. TVSH-ja 20% mbi produktet bazë vazhdon të mbushë arkat e shtetit, ndërsa boshatis kuletat e familjeve me të ardhura të ulëta. Në një vend ku pothuaj gjysma e buxhetit familjar shpenzohet për ushqim, çdo taksë mbi konsumin është në vetvete një taksë mbi jetesën.

