Kur qeveritë shqiptare e shpallnin “arsimin prioritet” që nga viti 1991, askush nuk e imagjinonte se brenda tre dekadave shumë shkolla do të mbylleshin, numri i nxënësve do të ulej dhe paratë e buxhetit mund të mos shkonin fare në terren. Në fillim të viteve ’90, kryeministri Fatos Nano e quante arsimin “pararendës të zhvillimit ekonomik”. Aleksandër Meksi fliste për “infrastrukturë sociale në arsim”, ndërsa Ilir Meta premtonte “modernizimin e shkollës shqiptare”. E njëjta retorikë u përsërit edhe nga pasardhësit e tyre, Sali Berisha dhe Edi Rama, por tre dekada më pas, rezultatet flasin ndryshe: qindra shkolla të mbyllura, mijëra nxënës më pak dhe një sistem që po tretet nën peshën e premtimeve të veta.
Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka humbur 258 institucione arsimore, nga 3,917 në vitin 2013 në 3,659 në vitin 2023. Në të njëjtën periudhë, numri i nxënësve në arsimin bazë dhe të mesëm ka rënë me mbi 150 mijë. Në gjimnaze, regjistrimet janë përgjysmuar: nga 133 mijë në vitin 2013 në vetëm 76 mijë në vitin 2023. Çdo vit, rreth 25 deri në 30 shkolla zhduken nga harta, ndërsa qeveria raporton “konsolidim” në vend të “mbylljes”.
Në fshatrat e braktisur, arsimi është bërë luks.
Premtimet për arsimin sipas qeverive nga viti 1991
Të gjitha qeveritë, nga Nano te Rama, kanë premtuar rritje të buxhetit për arsim, por asnjëra nuk ka arritur ta çojë mbi 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Foto Nr.1: Grafik I përpunuar nga të dhënat e nxjerra nga premtimet publike
Fatos Nano (11 maj-4 qershor 1991) “Me përparësi të veçantë do të trajtohen problemet e arsimit si pararendëse të zhvillimeve tona ekonomiko-shoqërore. Detyrë themelore gjatë kësaj periudhe do të jenë normalizimi i gjendjes në Universitet dhe përfundimi me sukses i këtij viti shkollor. Realizimi i reformës së re arsimore, rritja e cilësisë dhe modernizimi i shkollës në tërësi, puna e filluar për depolitizimin dhe realizimin e programeve, do të thellohet më tej mbi bazën e konceptimeve të reja, të planeve mësimore, veçanërisht të përmbajtjeve të tyre, në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të integrimit të tij në proceset europiane…”
Aleksandër Meksi (11 korrik 1996-10 mars 1997) “Objektivat kryesorë të programit të investimeve publike deri në vitin 2000, parashikohet të jenë: ngritja dhe përmirësimi i infrastrukturës së domosdoshme si rrugët, energjia, furnizimi me ujë, telekomunikacioni etj., zbatimi i programeve të rëndësishme të infrastrukturës sociale si në arsim dhe në shëndetësi, mbështetja me investime në sektorin e bujqësisë si në ujitje, pyje etj.”
Ilir Meta (28 tetor 1999-6 shtator 2001)“Synimi ynë është të ecim edhe më shpejt me rehabilitimin fizik të shkollave nga njëra anë dhe me thellimin e reformës arsimore nga ana tjetër. Në këtë fushë kemi shumë për të bërë, për të garantuar një zbatim sa më të shpejtë të ligjit të ri të arsimit të lartë qoftë edhe për të rritur bashkëpunimin me partnerët e huaj në të gjitha nivelet dhe për të gjithë objektivat që kemi paracaktuar për shkollën shqiptare si koalicion i “Aleancës për shtetin”.
Sali Berisha (2005-2009)“Qeveria në 4 vjet do të dyfishojë buxhetin për arsimin, do të dyfishojë rrogat e arsimtarëve, do të modernizojë shkollat, do të zvogëlojë në 25-30 numrin e nxënësve në klasa, do të dyfishojë numrin e nxënësve, që ndjekin shkollat e mesme, do të orientojë drejt tregut të gjithë sistemin arsimor…”
Sali Berisha (2009-2013)“Ne zotohemi të dyfishojmë numrin e studentëve dhe të nxënësve nga këto zona për në shkollat e mesme, profesionale dhe në universitetet e vendit. Prandaj dhe zotohemi që me programin tonë katër vjeçar, reformave të thella dhe të gjithanshme do t’u nënshtrohen arsimi parashkollor, parauniversitar dhe universitar, me objektivin kryesor standardet europiane për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.
Në këtë kontekst, brenda këtij mandati, buxheti për arsimin, nga sektori publik dhe privat do të arrijë në 7% të PBB-së, kurse ai i sektorit publik në 6% të prodhimit të brendshëm bruto…”
Edi Rama (2013-2017) “Synimi është që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike.”
Edi Rama (2017-2021) “Duke e konsideruar si një përparësi kombëtare të rëndësishme, qeveria do të vazhdojë të rrisë buxhetin për arsimin dhe kërkimin shkencor. Ky mandat do të jetë mandati i investimeve më të mëdha në arsim Do të shtojmë kapacitetet e mjediseve mësimore, do të eliminojmë mësimet me turne, do të mundësojmë sistemin e ngrohjes për shumicën dërrmuese të shkollave, do të garantojmë kompletimin e bibliotekave, sallave të IT-së, laboratorëve dhe kabineteve të ndryshme, të bazave prodhuese e eksperimentale, terreneve sportive…”
Edi Rama (2021-2024) “Tekstet shkollore falas për të gjithë nxënësit e arsimit bazë – Për vitin shkollor 2021-2022 janë përfshirë tashmë në skemën për tekstet shkollore në përdorim falas edhe nxënësit e klasës së tetë dhe të nëntë, në total 280 mijë nxënës të arsimit bazë dhe të kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën financiare të familjeve..”
Nisur nga të këto premtime dhe synime të qeverive përgjatë tre dekadave, dërguam një kërkesë për informacion institucionit të Ministrisë së Arsimit për të mësuar konkretisht të dhënat që prej buxhetit që I është alokuar këtij institucioni nga PBB deri te numri I shkollave dhe institucioneve arsimore mbi të cilat është investuar.

Photo Nr.1: Kërkesa dërguar Ministrisë së Arsimit
Pas kësaj kërkese Ministria e Arsimit na u përgjigj përmes një emaili ku dërgonte një numër linqesh që të ridrejtonin pikërisht te faqja e po këtij institucioni.

Photo Nr.2: Përgjigja nga Ministria e Arsimit
Përmes të dhënave që filtruam vërejmë se mungojnë të dhënat nga viti 2005 deri të paktën në vitin 2011 sipas kërkesës që kemi dërguar. Ndërkohë një pjesë e linqeve ndonëse janë të listuara në faqen zyrtare nuk janë efektive.

Foto Nr.2: Në linkun e “VJETARI STATISTIKOR PËR ARSIMIN dhe SPORTIN 2017-2018 dhe seri kohore”
“Vëri lekët ku ke fjalët”: pse nuk e kaluam kurrë 4%?
Nisur nga kjo përgjigje mundëm të përpunojmë vetëm të dhënat që na vijnë nga viti 2013 deri në vitin 2023. Arsimi në Shqipëri nuk ka kaluar 4% të PBB-së, madje shpeshherë ka qëndruar nën 3%, konkretisht në vitin 2024, me vetëm 2.8% të PBB-së, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë.
Për Zef Preçin, ekonomist dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ky është një dështim politik sistematik. Sipas tij të gjitha qeveritë shqiptare e kanë konsideruar arsimin si përparësi, por kjo nuk është realizuar thuajse asnjëherë. Buxheti ushqen patronazhistët, jo dijen. Paratë e buxhetit ndahen përmes një sistemi prokurimesh që mungon në transparencë dhe ushqen korrupsionin.
“Sektori i arsimit, por edhe të gjitha institucionet e tjera të shtetit shqiptar, kanë në dispozicion të gjitha rregullat, rregulloret, njerëzit përgjithësisht të kualifikuar etj., por vullneti politik për t’i zbatuar këto rregulla është vetëm deklarativ. Buxheti është burimi kryesor që ushqen makinën e stërmadhe të patronazhistëve, përmes së cilës sigurohet vazhdimësia e qeverisjes dhe, kështu, edhe abuzimi me buxhetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, duke qenë se paratë e buxhetit “ndahen” përmes sistemit të prokurimit-domethënë dihet se ku shkojnë zyrtarisht -por në mungesë të garës dhe konkurrencës, sigurisht që ushqehet korrupsioni, duke e bërë tepër të vështirë korrigjimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për këtë situatë.” -shpjegon Z.Preçi.
67–72% e buxhetit shkon për paga dhe kontribute, ndërsa investimet kapitale bien në minimume historike: laboratorë që nuk financohen, kabinete që nuk pajisen, rikonstruksione që rrudhen. Sipas Stringës, pa efikasitet operativ (“value for money”) dhe targete outputi (p.sh., rritje në PISA, ulje braktisjeje), shifrat e “% PBB” mbeten kozmetikë.
Azmi Stringa pedagog dhe Ish-drejtor i buxhetit të KLSH-s ,vendos theksin te hipokrizia fiskale: “Amerikanët kanë një shprehje: ‘Vëri lekët aty ku ke fjalët’. Me vepra, arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet. Hapësira fiskale ka pasur, por është kanalizuar apo shpërdoruar gjetkë; ndërsa Shqipëria ka buxhetuar për arsimin përgjithësisht nën 3% të PBB-së.”
“Amerikanët kanë një shprehje: “Vëri lekët aty ku ke fjalët.” Kjo do të thotë se duhet të vlerësojmë veprat, jo fjalët e politikanëve. Me vepra, arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet i qeverive shqiptare. Shumëkush mund të thotë se nuk kemi pasur hapësira fiskale të mjaftueshme. Kjo sërish nuk është e vërtetë, sepse mundësi për krijimin e hapësirave fiskale ka pasur mjaftueshëm ndër vite, por ato ose janë kanalizuar në sektorë të tjerë, ose janë shpërdoruar, ose janë transferuar në sektorë të tjerë për t’u shpërdoruar. Shqipëria këto vite ka pasur një nivel buxhetimi për arsimin disi nën 3% të PBB-së.”-shpjegon Stringa.
Një brez që po ikën
Vetë shifrat e dërguara nga Ministria e Arsimit, tregojnë një rënie të dukshme të institucioneve arsimore dhe nxënësve. Edhe pse ky institucion nuk përdor qëllimisht fjalën “mbyllje” por “Konsolidimi i shkollave” e gjithë situata flet për një krizë të sistemit arsimor I cili nis pikërisht nga konsolidimi.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, sistemi arsimor shqiptar ka pësuar një tkurrje që pasqyron boshatisjen e ngadaltë të fshatrave dhe rënien e numrit të nxënësve. Sipas të dhënave zyrtare, numri i institucioneve arsimore ,publike dhe jopublike, ka shkuar nga 3,917 në vitin shkollor 2013–2014 në 3,659 në vitin 2022–2023. Kjo do të thotë 258 shkolla më pak brenda një dekade, ose një ulje prej rreth 6.6%. Edhe pse në disa vite janë regjistruar rritje të vogla, trendi i përgjithshëm mbetet negativ, duke reflektuar mbylljen e shkollave në zonat e braktisura dhe përqendrimin e nxënësve në qendrat urbane. Çdo vit, mesatarisht 25 deri në 30 institucione arsimore zhduken nga harta, duke e bërë këtë periudhë një nga më të errëtat për sistemin arsimor të vendit.

Në dhjetë vite, Shqipëria ka humbur mbi 150 mijë nxënës në arsimin bazë dhe të mesëm. Rënia më e fortë është në gjimnaze, ku numri i regjistrimeve është përgjysmuar, nga 133 mijë në 2013 në vetëm 76 mijë në 2023.
Ky trend lidhet drejtpërdrejt me emigracionin familjar, uljen e lindshmërisë dhe braktisjen e shkollave në zonat rurale. Në të njëjtën periudhë, qindra shkolla janë mbyllur ose bashkuar për shkak të mungesës së nxënësve. Edhe për vitin shkollor 2024–2025, MAS parashikoi 125 mijë fëmijë më pak në 9-vjeçare krahasuar me një dekadë më parë.

Në vitin 2013, Shqipëria kishte mbi 176 mijë studentë në arsimin e lartë. Sot, janë më pak se 122 mijë. Në dhjetë vite, universitetet shqiptare kanë humbur rreth një të tretën e studentëve, ndërsa çdo vit mijëra të rinj zgjedhin të studiojnë jashtë. Auditorët bosh nuk janë më çështje statistikash, janë simptomë e një vendi që po humb brezin e tij universitar.
Rasti i Dukatit, rregullat e transportit dhe “shkolla formalisht afër”

Foto Nr5: Fshati Dukat, Vlorë 2024
Rasti i Dukatit është emblemë: nga 300 fëmijë te mbyllja totale.Në zona të tjera, rregullat e transportit e bëjnë “afër në letër” atë që është shumë larg në këmbë dhe fëmijët dorëzohen. Këto janë vendime buxhetore po aq sa sociale: kur “kursen” një autobus, humb një klasë.
A ka auditim real publik?
Në teori “kemi të njëjtat struktura si Perëndimi”, thotë Stringa, por në praktikë mungon llogaridhënia menaxheriale dhe pavarësia profesionale e auditit të brendshëm; inspektoriatet “monitorojnë” në letër; KLSH “bën ç’mund”, por përgjegjësia kryesore mbetet te vetë ministritë për të ngritur kontrolle të efektshme mbi financat.
Nëse “arsimi është prioritet”, atëherë prova nuk janë fjalët, por shumat e shpenzuara realisht, cilësia e shërbimit në klasë, dhe treguesit e matshëm që përmirësohen vit pas viti. Sot, provat thonë se kemi më pak shkolla, më pak nxënës, më pak laboratorë – dhe një model financimi që në vend të dije-s, blen qetësi të përkohshme politike.

