Nga data 17–19 nëntor 2025, Beogradi u shndërrua në qendrën e bisedimeve më të rëndësishme të sigurisë në Evropën Juglindore. Konferenca e Katërt e Sigurisë në Beograd (Belgrade Security Conference – BSC) u zhvillua nën temën “Pathways to Freedom”, duke mbledhur politikëbërës, diplomatë, akademikë, gazetarë, aktivistë dhe organizata nga e gjithë Evropa.

Foto Nr.1: Ambasadori i BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath
Ky edicion konfirmoi atë që tashmë është e qartë: Ballkani Perëndimor nuk është më thjesht një rajon që pret të përfshihet në të ardhmen e Evropës, ai është pjesë e drejtpërdrejtë e dialogut për të. Konferenca adresoi tensionet e reja politike, rritjen e pasigurisë rajonale dhe rolin e aktorëve globalë në Ballkan. Panelet trajtuan tema që shkojnë shumë përtej sigurisë tradicionale, duke përfshirë krizën politike në Serbi dhe ndikimet e saj, të ardhmen e zgjerimit të BE-së, luftërat hibride, dezinformimin dhe automatizimin e ndikimit politik, si dhe marrëdhëniet transatlantike dhe boshllëqet demokratike në vendet kandidate.
Një element që e bëri këtë edicion të rëndësishëm ishte pjesëmarrja e konsiderueshme e të rinjve, studentëve, profesionistëve të rinj, aktivistë, studiues dhe gazetarë të rinj të cilët morën pjesë në sesione, panele dhe takime dypalëshe.


Foto Nr.2: Pamje e tryezës së gjerë të BSC 2025, ku të rinj dhe ekspertë bashkohen për të diskutuar të ardhmen e rajonit.
Në kohën kur Evropa po riformëson konceptin e vet të sigurisë, BSC e cilësoi rajonin si një aktor që duhet të merret seriozisht. Sistemet qeverisëse të brishta, polarizimi politik dhe mungesa e transparencës janë kthyer në çështje që ndikojnë jo vetëm demokracinë e secilit vend, por edhe sigurinë si tërësi.
Këtë vit, Slow Media Albania mori pjesë për herë të parë në BSC, përfaqësuar nga themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive, Inva Hasanaliaj, gazetare investigative. SMA prezantoi modelin e vet të gazetarisë së ngadaltë (slow journalism), një qasje që kundërshton ritmin e menjëhershëm të lajmeve sensacionale dhe zgjedh analizën e thellë, verifikimin dhe tregimin e përgjegjshëm të historive.

Foto Nr.3 : Inva Hasanaliaj gjatë pjesëmarrjes në ditën e parë të konferencës
Në përfundim, Belgrade Security Conference 2025 dëshmoi se siguria e rajonit nuk mund të mendohet pa një mjedis informacioni të pavarur, institucione të përgjegjshme dhe një brez të ri të përfshirë aktivisht në hartimin e të ardhmes së rajonit. Pjesëmarrja e Slow Media Albania solli në qendër vlerën e së vërtetës, analizës së thellë dhe gazetarisë së ngadaltë si elementë thelbësorë të rezistencës demokratike. Në një kohë ku dezinformimi dhe polarizimi kërcënojnë themelin e shoqërisë, ky konferencë na rikujtoi se liria, siguria dhe progresi ndërtohen mbi dialog të hapur, bashkëpunim rajonal dhe një angazhim të sinqertë për të mbrojtur hapësirën publike. Por mbi të gjitha, na rikujtoi se e ardhmja i përket atyre që guxojnë të kërkojnë të vërtetën.

