Nëse politika do të matej me numrin e dokumenteve të hartuar për një sektor, atëherë Shqipëria do të ishte një nga vendet më të pasura në botë për sa i përket menaxhimit të ujit.
Deri në vitin 2013, siç tregon raporti i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë, qeveritë kanë prodhuar plot 23 strategji kombëtare dhe 78 dokumente strategjike për çështjen e ujit. E megjithatë, ndërsa letrat akumuloheshin në zyra, çezmat mbeteshin bosh dhe komunitete të tëra vijonin të vareshin nga depozitat ose nga furnizimi njëherë në disa ditë.
Megjithatë nuk mund të thuhet se mungesa e furnizimit me ujë 24 orë ka ardhur nga mungesa e investimeve. Përkundrazi, në periudhën 2014–2022, Shqipëria është përfshirë në një numër të madh projektesh të financuara nga aktorë ndërkombëtarë të mëdhenj si Banka Botërore, Bashkimi Evropian, si dhe agjenci zhvillimi si KfW Gjermane.
Sipas një përmbledhjeje nga ERRU dhe Ministria e Infrastrukturës, vlera e investimeve për infrastrukturën e ujit arriti në më shumë se 400 milionë euro gjatë kësaj periudhe. Midis projekteve më të mëdha përmenden:
- Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrjeteve të shpërndarjes në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë;
- Modernizimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në qytetet kryesore;
- Projekte të furnizimit me ujë për komunitete rurale në veri dhe jug të vendit.
Në letër, kjo shifër duhet të kishte çuar një revolucion të furnizimit me ujë të pijshëm në gjithë territorin.
Por ku është uji?
Nga premtimet e mëdha dhe strategjitë e shpallura publikisht, në praktikë sektori i ujësjellësit dhe kanalizimeve në Shqipëri ka qenë shpesh i shoqëruar nga probleme të rënda të menaxhimit dhe korrupsionit. Në vitin 2021, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) identifikoi një sërë shkeljesh flagrante në menaxhimin e fondeve për ujësjellësit dhe kanalizimet.
Sipas auditimeve në më shumë se 20 tendera për ndërtimin ose rehabilitimin e ujësjellësve në qytete dhe fshatra të ndryshëm, u identifikuan praktika të manipulimit të procedurave, apo favorizimi i kompanive të caktuara. Çmimet e kontratave rezultuan të fryra mesatarisht me 30% më shumë në krahasim me çmimet e tregut ndërsa projektet e dorëzuara nuk ishin sipas standardeve, ku në disa raste sistemet nuk ishin funksionale as pas inaugurimit.
Për vitin 2024 po sipas një auditimi të (KLSH) mbi Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, rezulton se një pjesë e madhe e subvencioneve të akorduara për kompanitë e ujësjellësit janë përdorur për mbulimin e pagave të punonjësve dhe detyrimeve tatimore, në vend që të investoheshin për përmirësimin e shërbimit
Raste konkrete korrupsioni në sektorin e ujit (2009-2025)
2009-2013:
- Skandali i ujësjellësit në Gjirokastër (2011):
Një auditim i KLSH zbuloi se fondet për ndërtimin e një rrjeti të ri ujësjellësi ishin keqpërdorur; u ndërtuan më pak metra tubacione se sa u raportuan, ndërsa ujësjellësi dështoi të vihej në funksion që në muajin e parë të inaugurimit. - Ujësjellësi i Sarandës (2012):
Një projekt i financuar nga Banka Botërore u pezullua pas dyshimeve për tendera të parregullt. U raportua se kompania fituese kishte lidhje me zyrtarë lokalë të bashkisë.
2013-2017:
- Skandali i ujësjellësit në Kamëz (2015):
Rreth 2 milionë euro të investuara rezultuan në një sistem që funksionoi vetëm për tre muaj pas inaugurimit. Inspektimet treguan mungesë standardesh teknike dhe përdorim materialesh nën cilësi. - Auditimi i 8 ndërmarrjeve të ujësjellësit nga KLSH (2016):
Gjatë kontrolleve u zbulua punësim fiktiv i mbi 120 personave që merrnin rroga pa dhënë kontribut real në ndërmarrjet publike të Tiranës, Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit.
2017-2025:
- Projekti i ujësjellësit të Vlorës (2019):
Një raport i Delegacionit të BE-së në Tiranë evidentoi devijime të buxhetit dhe vonesa të papërligjura në përfundimin e projektit. Punimet u rihapën disa herë dhe pjesë të rrjetit u dëmtuan përpara inaugurimit. - Hetimi për ndërmarrjen e ujësjellësit në Durrës (2020):
Prokuroria nisi një hetim për shpërdorim detyre dhe korrupsion ndaj ish-drejtuesve të ndërmarrjes pas denoncimeve për mungesë transparence në tendera të shumtë për riparime.
Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2024 evidenton që sektori i ujësjellës-kanalizimeve vuan nga një fragmentim i theksuar institucional, mungesë kontrolli financiar dhe lidhje të paligjshme që sjellin humbje të mëdha të ujit.
Për më tepër, cilësia e ujit të pijshëm, edhe pse në letër është e mbrojtur nga rregulloret e vitit 2016, në praktikë komprometohet shpesh për shkak të infrastrukturës së amortizuar, depozitave private jo të mirëmbajtura dhe mungesës së presionit të vazhdueshëm në rrjet.
Në vlerësimin e OKB-së për Shqipërinë 2024, Shqipëria kategorizohet ende si një vend me “akses të pjesshëm”, duke lënë hapur sfida serioze për të arritur standardet e kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ndërsa raportet ndërkombëtare vazhdojnë të sinjalizojnë mangësi strukturore, mungesë transparence dhe korrupsion të përhapur në sistemin e furnizimit me ujë, institucionet shqiptare duket se vijojnë të funksionojnë në një cikël të njëjtë: identifikojnë problemet, hartojnë strategji të reja, alokojnë fonde, por pak gjë ndryshon në terren.